George W. Bush thirrje qytetarëve të Maqedonisë për referendumin

Në letrën drejtuar qytetarëve të Maqedonisë, Bush thekson se që nga dita e parë e pavarësisë së Maqedonisë, SHBA-ja është mike e përhershme e vendit dhe qytetarëve

 Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, në adresimin me shkrim deri te qytetarët e Republikës së Maqedonisë thekson se Marrëveshja e Prespës është kompromis inkurajues dhe i drejtë që do ta vendos Maqedoninë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s dhe do t’i sigurojë të ardhme të ndritshme, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të votojnë në referendum dhe të marrin pjesë në sjelljen e këtij vendimi historik, transmeton Anadolu Agency (AA)

Në letrën drejtuar qytetarëve të Maqedonisë, që e publikoi Këshilli Atlantik në Washington, Bush thekson se që nga dita e parë e pavarësisë së Maqedonisë, SHBA-ja është mike e përhershme e vendit dhe qytetarëve.

“Populli amerikan mahnitej me ngritjen tuaj paqedashëse nga hiri i Jugosllavisë. E respektojmë guximin tuaj për t’iu bashkangjitur vlerave demokratike dhe institucioneve të lira. Dhe e mbështesim synimin tuaj për realizimin e përparimit dhe sigurisë në Evropë, e cila është e tërë, e lirë dhe jeton në paqe”, shkruan Bush.

Ai thekson se si president i SHBA-ve ka pasur nderin ta mbështesë presidentin Boris Trajkovski në vitin 2001, kur ai e hoqi Maqedoninë nga pragu i luftës qytetare në drejtim të shoqërisë së definuar me mirëkuptim multietnik dhe sundim të së drejtës.

“Dhe isha krenar kur Shtetet e Bashkuara e njohën Republikën e Maqedonisë nën emrin e saj kushtetues në vitin 2004”, thotë Bush në letër.

Ai thekson se Marrëveshja e Prespës, tani para ratifikimit të saj, është kompromis i drejtë dhe inkurajues, që do ta vendos Maqedoninë në rrugën drejt hyrjes në BE dhe në NATO, dhe që do të sigurojë të ardhme të ndritshme.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të marrin pjesë në sjelljen e këtij vendimi historik dhe të votojnë në referendumin nacional në fund të këtij muaji. Pas një dekade të pengesave, tani e keni fuqinë të shkruani një rrëfim të ri dhe më shpresëdhënës për ju, për fëmijët tuaj, për fqinjët tuaj dhe për vendin tuaj”, thotë Bush.

Rikujtojmë se më 17 qershor të këtij viti Qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedonas-grek për emrin dhe për partneritet strategjik, sipas të cilit Republika e Maqedonisë do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e Marrëveshjes është mbajtja e referendumit në Maqedoni, i cili është caktuar më 30 shtator të këtij viti. Pyetja e referendumit është “A jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”.