George Soros reagon ndaj akuzave të presidentit Ilir Meta

Fondacioni “Soros” ka bërë një reagim zyrtar pas akuzave të bëra në ditët e fundit nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili akuzon themeluesin George Soros për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe veçanërisht në reformën në sistemin gjyqësor.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, zëdhënësja e fondacionit “Soros” në Nju Jork, Laura Silber deklaroi:

“Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenar për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Më tej, zëdhënësja Silber shtoi se “Karakterizimi që Ilir Meta i ka bërë kësaj përpjekje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”. /A2News