Gent Cakaj: Raporti i ODIHR-it, dëshmi se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt

Ministri Cakaj theksoi se "Askund në raport ODIHR nuk konstaton se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to"

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, e konsideron raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri një dëshmi se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe i njohur ndërkombëtarisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Cakaj në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me gjetjet e raportit për procesin zgjedhor, ndërsa theksoi se “Askund në raport ODIHR nuk konstaton se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to.”

“Tashmë me publikimin e raportit të ODHIR-it ekziston një dëshmi e qartë dhe objektive se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht. Për më shumë kemi edhe një udhërrëfyes të strukturuar metodik dhe politik sesi mund të rritet besueshmëria e përgjithshme në procesin zgjedhor dhe cilësia e organizimit të zgjedhjeve në veçanti”, u shpreh Cakaj.

Ai theksoi se më me rëndësi do të ishte rifillimi i një dialogu politik, sipas tij, për të adresuar të gjitha shqetësimet që janë reflektuar në raport.

“Duhet theksuar për të qenë i përgjegjshëm në raport me të gjeturat e misionit vëzhgues të ODIHR-it se natyrisht në procesin zgjedhor në Shqipëri ka pasur probleme. Sidoqoftë nuk mund të identifikohet shuma e problemeve jashtë shkaktarëve të tyre, për shkak se identifikimi i shkaktarëve, i faktorëve që kanë çuar në probleme është esencial në shpjegimin e vetë raportit dhe cilësisë së procesit zgjedhor në përgjithësi”, tha më tej ministri Cakaj.

Në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri që u publikua zyrtarisht dje, theksohet se “Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, megjithë tensionet dhe përplasjet e izoluara në një numër të vogël”.

“Vërejtjet e aktorëve kryesorë politikë pas zgjedhjeve përsëri pasqyruan ndarje të thella, dhe disa kryebashkiakë në largim deklaruan publikisht se nuk do të pranonin rezultatet e votimit të 30 qershorit”, thuhet në raport.