Gaza, gratë protestojnë për lirimin e të burgosurve palestinezë

Gratë protestuese mbanin pankarta të ndryshme duke bërë thirrje për lirimin e qindra palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite

Qindra gra palestineze organizuan një marsh në Rripin e Gazës ku kërkuan lirimin e të afërmve të tyre nga burgjet izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).

Gratë protestuese mbanin pankarta të ndryshme duke bërë thirrje për lirimin e qindra palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite.

“Të burgosurit vuajnë nga trajtimi çnjerëzor dhe neglizhenca mjekësore në burgjet izraelite”, tha Ahmad al-Mudallal, një anëtar i grupit “Xhihadi Islam”, para të tubuarve jashtë Kryqit të Kuq në qytetin e Gazës.

“Të gjitha këto krime po ndodhin para syve të gjithë botës, gjë që nuk bën asgjë për të shpëtuar të burgosurit”, tha ai.

Al-Mudallal u bëri thirrje vendeve të botës të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të ndaluar politikën e “izolimit të vetmuar” kundër të burgosurve palestinezë.

Sipas shifrave palestineze, rreth 6.000 palestinezë vazhdojnë të vuajnë në qendrat e paraburgimit, duke përfshirë qindra gra dhe të mitur.