Ish-kryeministri Sali Berisha teksa i referohet sondazheve dixhitale ka deklaruar se bashkinë e Elbasanin do e fitojë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi.
Sipas Berishës koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të ketë fitore “dërrmuese” në zgjedhjet vendore të 14 Majit, ndërsa vijoi duke thënë se rivali socialist për Elbasanin, Gledian Llatja del me 100 mijë euro në llogari.
“Tani për tani epërsia sipas të dhënave se për herë të parë shof duhet lexuar në botën dixhitale. Do shihni se çfarë negativiteti… Bota dixhitale është bota pa censurë. Sipas përllogaritjeve dixhitale të fundit, Partia Demokratike do të ketë një fitore dërrmuese. Këto janë të dhënat e botës dixhitale në Elbasan. Gledian Llatja na del me 100 mijë Euro në llogari dhe del i pashtëpi, dhe nuk dihet origjina e eurove, mirëpo Elbasani po e kupton”, tha Sali Berisha në emisionin “Opinion”.
Berisha shtoi se kryeministri Rama po e ndihmon me fushatën që po zhvillon si kryetar i PS-së në kuadër të zgjedhjeve të 14 Majit.
“Fushata që shihni ka një bazë njerëzish që kanë ardhur në bazë vullneti dhe në asnjë lloj detyrimi tjetër. Një fushatë e cila ka një zjarr të brendshëm, e cila quhet frymë, por është absolutisht përcaktuese për fitoren, është fitore. Dhe po më ndihmon me propagandën e tij banale, vulgare të boshatisur, por të bazuar në truke komunikimi, Edi Rama. Unë kam fakte për këto që them. Ai ka strategji që e detyron atë të mos vijë sonte ballë përballë dhe të ja numërojmë njëri-tjetrit para shqiptarëve jo vetëm programet tona, por edhe të gjithë jetën tonë politike, por nuk vjen dot ai këtu sepse këtu i del baxhanaku me 110 tendera, i dalin sarajet e Surrelit”, tha Berisha.