Futbollistët shqiptarë të Zvicrës, nga tradhtarë në heronj

Xhaka dhe Shaqiri fituesit e mëdhenj të Botërorit të Rusisë

Vite më parë, Xherdan Shaqirin e përcollën nga Tirana me damkën e tradhëtarit. Kombëtares kuqezi, kosovari nga Gjilani nuk ia fali asnjëherë golat, megjithëse në asnjë rast nuk festoi.

Ky depërtim në zonë, pas një prekjeje me dorë ne Lucerne të Zvicres. Ky asist i Xhakës i shndërruar në gol në Qemal Stafa, e vunë Shaqirin në shënjestër të mllefit dhe tërbimit të tifozërisë kuqezi.

Por thirrjeve poshtëruese dhe fërshëllimave, Shaqiri nuk iu përgjigj kurrë me të njejtën monedhë. Deri kur erdhi radha e përballjes me Serbinë.

Bashkë me Granit Xhakën në këtë ndeshje, Xherdan Shaqiri nuk ndëshkoi vetëm serbët. Ai iu dha përgjigje të gjithë atyre që e kishin quajtur gjakprishur dhe tradhëtar, duke u shndërruar në pak sekonda në idhullin e shqiptarëve.

Tifozët e futbollit dhe jo vetëm, gëzuan sikur Xhaka e Shaqiri të ishin pjesë e familjes së tyre. Eliminimi nuk është kurrë i lehtë për t’u përtypur, por në ikje nga Rusia, Shaqiri, Xhaka, Berhami apo Xhemaili janë fitues brenda vetes, shkruan Klan.

Në Zyrih, ata do të zbresin me respektin e shqiptarëve.