Fundjavë aziatike për Pompeon, pritet takimi me Kim Jong-un

Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo do të udhëtojë në Penian të shtunën, në përpjekje për bisedime të mëtejshme mbi denuklearizimin, me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Lajmi u dha nga Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, e cila tha gjithashtu se Pompeu do të vizitojë edhe Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën, në datat 6-8 Tetor,raporton Top Channel.

“Sekretari i Shtetit do udhëtojë për herë të katërt në Korenë e Veriut, pasi ne besojmë se po bëhen hapa përpara në drejtim të denuklearizimit. Kemi pritur pak, për të bërë këtë vizitë, por këtë fundjavë Pompeo do të mbajë takimet e radhës, për të nxitur dërgimin edhe më tej të këtij procesi”, deklaroi Zëdhënësja e DASH-it.

Vizita e Mike Pompeos vjen menjëherë pasi është vendosur të planifikohet një takim i dytë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij koreano-verior, Kim Jong Un.

Ftesa ndaj Pompeos, për të udhëtuar drejt Penianit u përsërit edhe nga ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, gjatë takimit të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.