Fuat Oktay: “Buxheti i ri i Turqisë do të hapë rrugën për rritje stabile ekonomike”

Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se hapat e Turqisë për të mbështetur ekonominë nga pasojat e koronavirusit të ri (COVID-19) arritën në 562 miliardë lira turke (71,6 miliardë dollarë) që nga nëntori...

Zv/presidenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se hapat e Turqisë për të mbështetur ekonominë nga pasojat e koronavirusit të ri (COVID-19) arritën në 562 miliardë lira turke (71,6 miliardë dollarë) që nga nëntori, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke paraqitur buxhetin e vitit 2021 në parlament për debat, zv/presidenti Oktay tha se qeveria pret që punësimi të rritet për afërsisht 1,6 milionë njerëz dhe shkalla e papunësisë të bjerë në 12,9 për qind.

“Një nga qëllimet tona kryesore është ulja e përhershme e inflacionit në shifra të ulëta dhe njëshifrore, me zbatimin e politikave të cilat janë zhvilluar si rezultat i konsultimeve të gjera me sektorë të ndryshëm të shoqërisë dhe politikave të parashikuara në Programin e Ri Ekonomik”, tha Oktay.

Programi qeveritar u njoftua në muajin shtator, ndërsa zv/presidenti Oktay shtoi se qëllimi kryesor i buxhetit për vitin e ardhshëm është të sigurojë hapa të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për përparimin e ekonomisë së Turqisë në ristrukturimin global për shkak të pandemisë COVID-19.

Në lidhje me përpjekjet për të zhvilluar vaksina për virusin, Oktay tha se qeveria e Turqisë mbështetë prodhimin vendas të barnave për të trajtuar koronavirusin dhe se studimet lokale të vaksinave arritën në fazën e testeve tek njerëzit.

“Që nga prilli i vitit 2021, vaksina jonë lokale kundër COVID-19 do të jetë gati”, shtoi ai.

Në lidhje me Aeroportin e Stambollit, i cili u përurua në tetor të vitit 2018, Oktay theksoi se për shkak të pandemisë, “numri i fluturimeve ndërkombëtare dhe të brendshme ra në Turqi dhe në botë në vitin 2020, kështu që një pagesë e garantuar që është shumë më e ulët se vlera mesatare vjetore e qirasë do të vendoset në rendin e ditës”.

Oktay gjithashtu tha se dhuna kundër profesionistëve të kujdesit shëndetësor është absolutisht e papranueshme, duke shtuar se Turqia do të marrë masat e nevojshme shtesë për t’i mbrojtur ata në ditët në vijim.

Malësia e Karabakut

Duke folur për konfliktin e Malësisë së Karabakut, që përfundoi së fundmi, si dhe veprimin e diskutueshëm të parlamenti francez, Oktay kritikoi përpjekjet franceze që “në mënyrë të paligjshme” t’ia dorëzojë rajonin pushtimit armen.

Asambleja Kombëtare e Francës javën e kaluar miratoi një rezolutë që i bën thirrje qeverisë të njohë Malësinë e Karabakut si “republikë”, pas veprimit të ngjashëm simbolik nga Senati.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi armen.

Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi shihet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.