Ftohen afaristë nga Kosova në MUSIAD EXPO 2018

Afaristë nga organizata të ndryshme biznesi të Kosovës janë ftuar të marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të biznesit MUSIAD EXPO 2018, që do të mbahet ndërmjet datave 21-24 nëntor në Stamboll.

Kryetari i Asociacionit të pavarur të industrialistëve dhe biznesmenëve (MUSIAD) në Ballkan, Bilall Kara pret një pjesëmarrje të shtuar nga Kosova në organizimin e sivjetmë Musiad Expo 2018, i cili mbahet ndërmjet datave 21-24 nëntor të këtij viti.

Kryetari Kara thotë se tashmë është në kontakte me organizatat e biznesit në Kosovë, të cilave u ka bërë ftesë për pjesëmarrje.

“Shpresojmë që sivjet të ketë një pjesëmarrje të shtuar nga Kosova. Në këtë drejtim, jemi në kontakt me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Kosovaro Turke, Klubin e Bizneseve Kosovare si dhe organizata tjera afaristë. Pritjet tona janë që për dallim nga panairi i kaluar, sivjet të ketë pjesëmarrje më të shtuar nga Kosova në mënyrë që të kontribuohet për zhvillimin e dy ekonomive të dy shteteve mike”, thotë z. Kara, raporton TRT.

Afaristët nga Kosova do të njoftohen me produktet që ekspozohen në Musiad. Po ashtu do të kenë mundësi të takohen me shumë pjesëmarrës nga e gjithë bota.

“Po ashtu gjatë takimeve biznesi B2B do të kenë mundësi të krijimit të lidhjeve të reja afariste. Po ashtu do të ketë një platformë e pjesëmarrjes së burokratëve e biznesmenëve shumë të mëdhenj turk, e nga kjo platformë biznesmenët nga Kosova do të kenë mundësi ta prezantojnë veten si dhe punën, produktet si dhe llojin e afarizmit që e bëjnë”, sqaron Kara.

Në Musiad përveç panairit nga disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, do të organizohet për herë të katërt edhe panairi ndërkombëtar i teknologjisë më të fundit “High Tech”.

Kryetari Kara, thekson se në Musiad Expo 2018, përveç presidentëve, kryeministrave, ministrave e biznesmenëve nga e gjithë bota, do të marrin pjesë edhe ata nga Ballkani, pasi që sipas tij ekziston një potencial shumë i rëndësishëm për bashkëpunim ndërmjet Turqisë dhe shteteve të Ballkanit.

Musiad Expo është një organizim që mbahet çdo dy vite në Stamboll. Në organizimin e para dy vitesh kanë marrë pjesë rreth 100 ministra nga e gjithë bota, kurse hapjen e ka bërë presidenti Rexhep Taip Erdogan.