Frika nga autizmi ka ulur vaksinimet! Vaksina e moshës 1 vjeç ose e Fruthit, Rubeolës e Shytave (MMR) ka pësuar rënie

Një nga hallkat e sistemit shëndetësor në vendin tonë  që ka njohur progres nga viti në vit është vaksinimi.

Një nga hallkat e sistemit shëndetësor në vendin tonë  që ka njohur progres nga viti në vit është vaksinimi.

Edhe pse sipas treguesve të vetë Institutit të Shëndetit Publik mbulimi i vaksinimit në terren është në nivelet më ta larta duke iu referuar shifrave që variojnë nga 97.8% në 99.7% për sëmundje nga më të ndryshmet. Vetë specialistët e shëndetit publik janë në “luftë” me prindërit të cilët kanë frikë nga vaksina të caktuara.

Pavarësisht se dihet rëndësia e vaksinimit, përsëri shumë prindër refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre. Arsyeja është frika nga efekti që, sipas tyre, ka vaksinimi në ndalim të zhvillimit psikomotor. Frikën më të madhe prindërit e kanë në lidhje me vaksinën e MMR-së që injektohet në dozën e parë tek fëmijët një vjeç. Frika që lidhet me këtë vaksinë vjen si rezultat i keqpërdorimit të të dhënave për të shmangur vaksinimin. Pas një sërë studimesh të njëpasnjëshme dhe të një hetimi u dol në konkluzionin që nuk ka asnjë lidhje midis autizmit dhe vaksinës MMR (vaksinës ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Shytave).

Mbulimi vaksinal gjatë 2017

Treguesit e mbulesës vaksinale  edhe gjatë vitit 2017 vijojnë të jenë të lartë për të gjitha llojet e vaksinave. Por edhe pse të dhënat flasin për një mbulesë të lartë  vaksinale, ajo që bie në sy është se vaksina e moshës një vjeç, ose e Fruthit, Rubeolës dhe Shytave (MMR) ka pësuar një rënie në krahasim me vitet e mëparshme. Kështu gjatë 2017 të dhënat flasin për një mbulim vaksinor për MMR-në më masën 95.7%.

Kjo shifër është më e ulët se ajo e 2016 dhe e 2015. Kështu respektivisht në mbulesa vaksinore për MMR-në ishte 96.3% në 2016 e cila edhe në këtë vit kishte shënuar ulje  nga ajo që ishte në 2015, në masën 97.8%. Kjo rënie e mbulesës vaksinale vjen si rezultat i refuzimit ose shtyrjes së afatit që bëjnë prindërit si rezultat i frikës nga autizmi. Sipas specialistes së shëndetit publik, Erida Nelaj, është e rëndësishme që prindërit të mirëinformohen para se të marrin një vendim.

Prindërit kanë të drejtë të refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre, por duhet të marrin parasysh pasojat. Nuk ka asnjë fakt apo të dhënë zyrtare që e lidh vaksinën me autizmin. Për këtë është e rëndësishme që prindërit të informohen nga burime zyrtare rreth efekteve të vaksinës,” thotë Nelaj për revistën “Scan Magazine”.

Lidhur me faktin se pse ka rënë nga viti në vit mbulesa vaksinore për MMR-në, specialistja e shëndetit publik e lidh me faktin e frikës së autizmit, frikë e cila nuk është e ngritur mbi fakte të vërteta.

“Totalisht mohim nuk kemi pasur, por spostim në kohë kemi pasur nga prindërit, edhe pse nuk është masive, por është më e madhe nga çka ka qenë më parë. Ne jemi munduar në të gjitha mënyrat t’u shpjegojmë prindërve që problemi nuk është kur e bëni këtë vaksinë, por kur nuk e bëni. Në Shqipëri, mbulesën vaksinale ne e kemi shumë të mirë, në përgjithësi mbi 98% të popullatës që duhet të marrë vaksinën, e ka marrë. Për vaksinën e MMR-së ka pasur një ulje së fundmi, pikërisht për shkaqet e përmendura më sipër.” Më tej, specialistja e shëndetit publik shpjegon se me përhapjen e fruthit në vendin tonë në fillim të 2018-ës është rritur numri i personave që vaksinohen.

“Ka disa mekanizma, të cilat i bëjnë prindërit të mos marrin vendime të gabuara në lidhje me vaksinimin, si informacioni i detajuar, këshillimi, ofrimi në çdo kohë i vaksinimit. Për çdo fëmijë që hyn për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo institucione të arsimit të lartë, është e detyrueshme pajisja e tij, nga institucionet shëndetësore, me një dokument që vërteton vaksinimin e kryer sipas kalendarit përkatës. Pastaj me rikthimin e fruthit në rajon dhe në vendin tonë, frika bëri që shumë prindër të vaksinonin fëmijët e tyre,” nënvizon specialistja e ISHP-së.

Prindër që hezitojnë për të kryer vaksinën e MMR-së

Hezitimin dhe frikën më të madhe ndaj vaksinës së MMR-së e kanë prindërit e rinj. Përveç pikëpyetjeve që ngrenë në lidhje me efektet që mund të ketë vaksina, një nga shkaqet që e shtyjnë në kohë bërjen e vaksinës është dhembshuria ndaj fëmijës. Sipas tyre, në moshën një vjeç fëmija është shumë i vogël që të marrë një injeksion të tillë. Lori Xhalo është një nënë e re e cila është transferuar nga Durrësi me banim në Tiranë. Djali i saj, muajin që vjen mbush një vjeç, sipas kalendarit të vaksinimit duhet që të kryejë edhe vaksinën e e MMR-së. Por, Lori është e vendosur që të mos e bëjë këtë vaksinë tani.

“Tema e vaksinimit është një pikë e nxehtë në familjen tonë. Nuk jemi mjaftuar vetëm me ato që lexojmë në media, por jemi konsultuar me një numër të madh mjekësh. Të gjithë na kanë thënë që nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës dhe autizmit. Por ne ende kemi shumë frikë, kemi vendosur që ta shtyjmë kohën e vaksinimit do ta bëjmë ndoshta kur të shkojë dy vjeç,” shprehet nëna e re për revistën “SCAN“. Një tjetër nënë që e ka shtyrë në kohë kryerjen e vaksinës së dy fëmijëve të saj, Manjola Zapata, ka dy vajza të vogla, njëra është pesë vjeç dhe tjetra është dy vjeç. Për të dy fëmijët Manjola ka zgjedhur që vaksinën ta kryejë pas moshës dy vjeç.

“Nuk jam kundër vaksinimit të fëmijëve, por kam patur shumë frikë sa i përket vaksinës së Fruth-Rubeolës. Nuk doja të rrezikoja me vajzat e mia dhe vendosëm që këtë vaksinë ta bënim pasi të kalonin moshën dy vjeç,” thotë ajo.

Por, ka edhe prindër të cilët mendojnë se është më mirë që fëmijët të mos e kryejnë fare këtë vaksinë. Altini është një baba i një djali 10 muajsh dhe ka vendosur që të mos e bëjë këtë vaksinë.

“Nuk kam dëshirë të rrezikoj, mendoj se djali mund të mos kalojë asnjë nga sëmundjet për të cilat do të vaksinohet. Por edhe nëse ka një epidemi fruthi, ndoshta do të ishte më mirë që djali ta kalonte vetë. E di që mendimet e mia mund të jenë të gabuara, por të them të drejtën më shumë frikë kam nga autizmi. Nëse vaksina dyshohet se mund ta shkaktojë atë, unë do ta shmang, nuk do të lejoj që im bir të dëmtohet,” shprehet ai.

Në fillim të vitit 2018 fruthi u rikthye në  Shqipëri pas më shumë se një dekade. Duke qenë se fruthi më herët kishte zbarkuar në vendet e rajonit e që janë në kufij me Shqipërinë, incidenca e rikthimit ishte e lartë duke marrë në konsideratë pjesën e popullatës së pavaksinuar. Ndërsa sipas statistikave zyrtare në vendin tonë gjatë 2017-ës mbi 25 përqind e fëmijëve mbi një vjeç nuk janë vaksinuar nga frika që kanë prindërit se mund të preken nga autizmi.