Francë, arrestohet njëri nga udhëheqësit e “jelekëve të verdhë”

Njëri nga udhëheqësit e "jelekëve të verdhë" në Francë, Maxime Nicolle u arrestua me arsyetimin se ka vazhduar të protestojë pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga policia

Njëri nga udhëheqësit e “jelekëve të verdhë” në Francë, Maxime Nicolle u arrestua me arsyetimin se ka vazhduar të protestojë pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga policia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin francez mësohet se Nicolle është arrestuar mbrëmë në protestat e zhvilluara në Bordeaux, me arsyetimin se pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga policia ka vazhduar protestën duke nxitur edhe protestuesit e tjerë.

Në një deklaratë para se të arrestohej, Nicolle ka thënë: “Ata që thonë se ka përfunduar lëvizja e ‘jelekëve të verdhë’ të shikojnë këtu. Jemi në muajin janar dhe ndodhemi ende këtu. Do të vazhdojmë protestat sa të jetë e nevojshme”.

Ndërkohë edhe Eric Drouet, një tjetër udhëheqës i ‘jelekëve të verdhë’ në një postim në rrjetet sociale pas plagosjes së rëndë në sy nga ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës ndaj Jerome Rodrigeus në protestat e zhvilluara mbrëmë në sheshin “Bastille” të Parisit, ka ndarë mesazhin “Lërini mënjanë grindjet, lufta nuk luhet por fitohet. Bëj thirrje për kryengritje të pashembullt me çdo mundësi”.

Protestat e “jelekëve të verdhë” po mbahen tashmë prej 11 javësh me radhë në mbarë Francë nën masa intensive të sigurisë. Protestuesit kanë zhvilluar protesta në pika të ndryshme të Parisit ndërsa bëhet e ditur se tensione janë shënuar mes policisë dhe protestuesve gjatë protestave të mbajtura në sheshet “Bastille” dhe “Republique”.

Njësia kombëtare e policisë hetimore ka nisur një hetim për dëmtimet e rënda në sy ndaj Jerome Rodrigeus si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia gjatë protestave në sheshin “Bastille”.

Krahas protestave në Paris, ngjarje janë shënuar edhe gjatë protestave në qytetet Bordeaux, Toulouse dhe Evreux. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në protestat e zhvilluara në të gjithë vendin kanë marrë pjesë 69 mijë persona nga të cilët 4 mijë prej tyre në Paris.