Franca në finale, mund minimalisht Belgjikën

Umtiti “vret” ëndrrën belge, çon Francën në finale

Franca është finalistja e parë e Kupës së Botës. Gjelave iu mjaftoi vetëm 1 gol në përballjen ndaj Belgjikës për të fituar në një takim ndaj një prej përfaqësueseve më të forta të kompeticionit.

Takimi u vendos nga goli i Umtiti-së në të 51’. Në pjesën e parë u pa një Francë e tërhequr, e cila u vu në presion nga Belgjika, që kontrolloi lojën. Por “Les Blues” u shndërruan në fund të pjesës së parë dhe u kthyen në një skuadër më të kujdesshme e më të sigurt. Franca tani pret finalisten tjetër që do të vendoset nga takimi i nesërm, Angli – Kroaci. “Gjelat” janë kualifikuar në finalen e Kupës së Botës, 3 herë në 6 kompeticionet e fundit, më shumë se çdo kombëtare tjetër për të njëjtën periudhë kohore.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër ritëm për Francën, me një Kylian Mbappe të papërmbajtshëm, ndërsa në minutën e 51-të “gjelat” gjetën golin e avantazhit me Umtiti, që shtyu në rrjetë një krosim të ardhur nga këndi.

Goli zgjoi Belgjikën, që u bë më kërkuese dhe filloi të hedhë më shumë topa në zonën franceze, por pa arritur të rrezikojë seriozisht portën e skuadrës së Deschamps. Rasti më i mirë ishte për Witsel, por goditja e tij mjaft e bukur nga distanca, u grushtua po aq mirë nga kapiteni i francezëve, Hugo Lloris.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit uruguaian la në fuqi rezultatin 0-1, ndërsa Franca është skuadra e parë finaliste e Kupës së Botës “Rusi 2018”, që do të luhet më 15 Korrik.