Foto-lajm/ Pretenca për Fatmir Mediun, familja Durda në sallën e gjyqit

Familja Durda, që humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit ka udhëtuar sot drejt kryeqytetit, për të ndjekur pretencën ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.

Rihapja e hetimeve ndaj Mediut nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën një djalë 6 vjeç në këtë tragjedi. Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Më herët, gjyqi ndaj ish-ministrit ka dështuar dy seanca me radhë për shkak të avokatëve mbrojtës të Mediut të cilët nuk janë paraqitur. Nuk dihet ende nëse edhe në këtë seancë avokatët do bëhen shkak për dështimin e procesit. Gjykata më herët ka urdhëruar në mungesë të avokatëve që ish-ministri të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti.