Foshnja e porsalindur rezulton pozitive me Koronavirus

Mbetet e paqartë nëse foshnja është prekur nga virusi në bark ose gjatë lindjes

Një foshnjë e porsalindur rezultoi pozitive ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) dhe besohet të jetë rasti më i ri në Britani, sipas një deklarate të spitalit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëna u dërgua në spitalin e Londrës me simptoma të pneumonisë. Si nëna, ashtu edhe fëmija, rezultuan pozitiv ndaj virusit.

Mbetet e paqartë nëse foshnja është prekur nga virusi në bark ose gjatë lindjes.

“Dy pacientë në spitalin Universitar North Middlesex kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Njëra është transferuar në një qendër të specializuar dhe tjetra po trajtohet në një dhomë izolimi”, thuhet në një deklaratë nga spitali.

“Siguria e pacientëve dhe stafit tonë është prioriteti ynë kryesor, kështu që në vijim të udhëzimeve nga Shëndetësia Publike e Anglisë, ne jemi rregullisht duke pastruar thellë zonat ku bëhet kujdesi për pacientët, ndërsa personeli që ishte në kontakt të ngushtë me këta pacientë u këshillua që të vetëizolohet”, theksohet më tej.

Deri të shtunën, BBC raportoi se kishte gjithsej 820 raste të konfirmuara në Britani, me 21 vdekje.

Qeveria tha të premten se numri i mundshëm i rasteve aktuale është midis 5.000 dhe 10.000.

Pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur.

Një shumicë e madhe e të infektuarve shërohen nga kjo sëmundje.