Policia dhe FNSH zhvilluan këtë të martë kontrolle në Elbasan për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kontrollet kanë nisur gjatë natës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë synonin kapjen e Suel Çelës, për të cilin është caktuar masa “arrest me burg”, por që vazhdon të jetë në arrati.
Por, edhe këtë herë operacioni rezultoi pa sukses. Policia shoqëroi vetëm babanë dhe vëllanë e Çelës. Ata u pyetën nëse kishin kontakte me të birin, por sikurse Top Channel mëson, nuk kanë dhënë informacione të vlefshme për hetimin. Pas disa orësh, ata kanë lënë ambientet e Komisariatit.
Suel Çela, i njohur edhe si Marjus Lulaj, është akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.
I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave. Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen e tregut agroushqimor.
Prova e gjetur në automjetin “Audi” që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Çela.
Bashkë me Endri Çopjen, ai gjithashtu akuzohet për tentativë rrëmbimi të një personi dhe plagosjen e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013.