Fluksi i turistëve të huaj, Hajnaj inspekton pikat kufitare

Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka inspektuar pikat e kalimit kufitar në jug të vendit për të parë zbatimin e masave shtesë për sezonin veror 2018.

Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka inspektuar pikat e kalimit kufitar në jug të vendit për të parë zbatimin e masave shtesë për sezonin veror 2018.

Hajnaj gjatë inspektimit në këto pika ka konstatuar se masat shtesë për një sezon turistik veror sa më të sigurt po zbatohen me korrektësi nga ana e punonjësve të Policisë dhe ka theksuar se zbatimi i këtyre masave ka sjellë më shumë siguri për pushuesit në të gjitha plazhet e vendit.

Aida Hajnaj ka kërkuar që ky angazhim dhe përkushtim të vijojë më me intensitet deri në përmbyllje të sezonit, si dhe ka kërkuar nga punonjësit e Policisë performancë më të lartë në drejtim të shërbimit, por edhe të etikës dhe sjelljes kundrejt qytetarëve dhe uniformës që ata përfaqësojnë.

Gjatë një interviste për mediet, Hajnaj ka theksuar se gjatë sezonit turistik nëpërmjet Qafë-Botës kanë hyrë rreth 105 mijë shtetas, nga të cilët 73 mijë janë shtetas të huaj si dhe nga porti i Sarandës kanë hyrë rreth 125 mijë shtetas, ku rreth 104 mijë janë shtetas të huaj.

Gjithashtu, Hajnaj ka vlerësuar bashkëpunimin me rojen bregdetare dhe kullat e vrojtimit për dhënien ndihmë pushuesve që u rrezikohej jeta nga mbytja në det, si dhe bashkëpunimin me homologët për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, shkruan ATSH.

“Policia e Shtetit po monitoron çdo ditë zbatimin e masave të sezonit turistik në Pikat e Kalimit Kufitar edhe në plazhe. Në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, si në hyrje dhe në dalje janë shtuar sportelet edhe burimet njerëzore, me punonjës të policisë Kufitare, me qëllimin e vetëm për një menaxhim sa më të mirë të lëvizjes në hyrje dhe në dalje të shtetasve, dhe për një shërbim sa më të kulturuar”, – tha Hajnaj.