Fluksi i pasagjerëve nga Rinasi rritet me 12% në Qershor

Fluksi i pasagjëreve nëpërmjet linjave ajrore nga Rinasi u rrit me 12% në muajin qershor 2019 në raport me qershorin e vitit 2018, njoftoi sot Autoriteti i Aviacionit Civil.

Të dhënat nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” tregojnë një numër prej 308,879 pasagjerësh të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit 2ershor për ose nga TIA.

Kompania ajrore “Ernest S.p.A” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin qershor 2019, me një numër prej 50,765 pasagjerë ose 16% të totalit.

Ndjekur nga Blue Panorama me 14% ndaj totalit dhe 44,127 pasagjerë. Fluturimet charter këtë muaj zënë 16% të tregut me një numër prej 50,571 pasagjerë. Sikurse mund të shihet edhe në grafik, kompanitë që fluturojnë drejt Italisë zotërojnë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Qershor 2019, me një numër pasagjerësh prej 140,640 dhe 46% të totalit.

Për sa u përket fluturimeve charter të cilat zënë 16% të tregut, destinacionet janë të shumta.

Për sa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin qershor 2017-2018-2019, vëmë re se kompania “Lufthansa” ka pasur një rritje prej 103% duke u pasuar nga “Ernest Airlines” e cila shënon rritje prej 90% të numrit të pasagjerëve krahasimisht me një vit më parë.

Fluturimet Charter kanë shënuar rritje prej 14%  krahasimisht me vitin 2018 ku numri i pasagjerëve ka qenë 108% më i lartë se në vitin 2017. Grafiku i mëposhtëm paraqet krahasimin e numrit të pasagjerëve në muajin qershor 2019 kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2018 dhe 2017.

Ndërsa krahasuar me korrikun e vitit të kaluar ku numri i vonesave dhe anulimeve ishte në nivele shumë të larta dhe shqetësuese, situata gjatë Korrikut të këtij viti është kthyer në nivele normale.

Nga të dhënat e ardhura nga sektori Për Të Drejtat e Pasagjerit në TIA rezulton se gjatë gjysmës së dytë të muajit Korrik 2019, ka pasur 2 anulime fluturimi, njëra nga kompania “Transavia” në Aeroportin e Amsterdamit si pasojë e bllokimit të sistemit të furnizimit me karburant të avionëve në aeroportin e Amsterdamit (ku në këtë rast janë anuluar shumë fluturime për/nga ky aeroport), si dhe anulimi i fluturimit të kompanisë “Alitalia” për shkak të grevës së transportit ajror në Itali.

Fluturimi i “Wizz Air” për nga Tirana drejt Aeroportit të Luton-it në Londër pati një vonesë të gjatë për shkaqe operacionale dhe kompania “Blue Panorama” pati një vonesë shumë të gjatë në datën 28 korrik për shkak të një defekti teknik. Shkaku i përmirësimit të situatës kjo edhe në sajë të trysnisë së AAC, është marrja e masave nga kompanitë me avionë shtesë për të përballuar fluksin në rritje. /Monitor