Fitore pa shkelqim e Francës ndaj Australisë

Franca fiton me vuajtje ndeshjen e penalltive dhe VAR-it

Franca e nis në ofensivë, me dalje të shpejta nga krahët dhe topat që kulmojnë për te Griezann. Ky i fundit sjell drithërimat e para në portën australianë në minutën e 5-të, me një goditje potente ballore. Luan shkurt Franca, me pasime të sakta, del me shpejtësi në aksion, ndërsa kundërshtari mundohet ta ndërtojë murin që në mesfushë, ku nuk mungojnë faullat. Ndaj talenteve të “gjelave”, nuk ka rrugë tjetër për Australinë, përveç lojës së ashpër. Është mjaft e vështirë t’i bësh ballë një reparti ofensiv, që përbëhet nga emra të tillë si Griezmann, Mbappé dhe Dembélé, “tridenti” startues i Francës.

Minuta e 17-të jep përshtypjen e golit për australianët. Pas një goditjeje dënimi nga e djathta e sulmit, topi shkon në zonën franceze, ku Toliso për pak shkakton autogol, në përpjekje për të larguar rrezikun evident. Dembele ndërmerr inkursione shpejtësie nga e majta, herë pas here, por mungon pasimi final i tij. Griezmann ndihet disi i veçuar nga pjesa tjetër e skuadrës, ndaj nuk heziton të bëjë me dorë nga shokët, që të shohin më tepër përpara dhe ta mbështesin. Me kalimin e 20 minutave të para, Australia fiton më shumë qetësi dhe metra në fushë.

Përmes qarkullimit të dendur dhe të saktë të topit, “kangurët” arrijnë ta ulin vrullin e transalpinëve. Mbappe e tepron me veprimet individuale, duke mbajtur topin, teksa tenton të vijë nga e djathta në qendër të sulmit francez, por kundërshtari ia del ta bllokojë në momentin final. Pas minutës së 30-të, Franca merr sërish frenat e lojës në dorë. Topi endet pothuajse vetëm në gjysmëfushën australiane, ku “gjelat” tentojnë të godasin nga të gjitha pozicionet, edhe nga distanca. Ka shtim radhësh në prapavijën e Australisë, çka e bën të paarritshme portën e Mathew Ryan. Nuk ka raste evidente për shënim nga të dyja palët në 45 minutat e para, ndaj rezultati mbetet i bardhë, 0-0.

Në minutën e 57-të gjyqtari uruguaian Cunha i ndihmuar edhe nga sistemi VAR, akordoi 11-metërsh për francezët, penallti të cilën Griezmann e kthehu në gol, por festa e Didier Deschamps në stol zgjati fare pak sepse pas 4 minutash Australia barazoi shifrat. Umtiti bëri një gafë të rëndë duke prekur topin me dorë brenda zone, dhe gjyqtari nuk kishte dyshim duke akorduar një tjetër 11-metërsh këtë herë për australianët. Kapiteni Jedinak mposhti Lloris duke barazuar shifrat. Goli i fitores për francezët u realizua nga Pogba në minutën e 81-të. Një goditje pa shumë pretendime e mesfushorit të Manchester United u devijua nga Behich me topin që preku traversën dhe më pas kaloi vijën fatale. Me këtë fitore Franca u ngjit në krye të grupit C, në kuotën e 3 pikëve.