Firmoset marrëveshja për hekurudhën Tiranë-Durrës, Balluku: Përfundon në verën e 2023

Arteria e re do të sigurojë një lëvizje për pasagjerët për në aeroport dhe do të lehtësojë dhe trafikun.

Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe nyjen e re në Rinas pritet të nisin së shpejti. Këtë të mërkurë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u nënshkrua edhe marrëveshja me kompaninë fituese çka i hap rrugë zbatimit. Ministrja Belinda Balluku në ceremoninë e mbajtur me këtë rast dha detaje mbi planet e tjera në sektorin hekurudhor në një periudhë afatmesme ndërkohë që bëri të ditur se ndërtimi i projektit të Tiranë-Durrës përfundon në verën e vitit 2023.

“Firmosja e marrëveshjes së rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re në Rinas është një moment i rëndësishëm. Projekti është një ndër projektet prioritare të qeverisë përcaktuar dhe në dokumentet strategjike. Linja hekurudhore Tiranë-Durrës është një linjë e ngarkuar për shkak të trafikut, pasagjerëve dhe mallrave megjithatë kjo hekurudhë është ndërtuar në vitin 1951 ka pasur një rehabilitim në vitin 1996 dhe ka më shumë se dy dekada e amortizuar. Sot ka një nevojë të thellë për rehabilitim. Ky investim nuk do të mbetet i vetmi pasi në planet afatmesme kemi rehabilitimin rehabilitimin e linjës Vorë-Hani i Hotit dhe linjës Pogradec-Korçë dhe linjën e re Korçë- Kapshticë.

Projekti parashikon rehabilitimin nga stacioni qendror i Durrësit ku ndodhet aktualisht deri në vendndodhjen e terminalit të ri në Tiranë që po bëhet nga Bashkia e Tiranës dhe në një linjë të re që e lidh me aeroportin e Rinasit. Kjo hekurudhë mbulon zonën me aktivitet më të lartë ekonomik  në Shqipëri. Arteria e re do të sigurojë një lëvizje për pasagjerët për në aeroport dhe do të lehtësojë dhe trafikun. Rehabilitimi i linjës ekzistuese do përmirësojë cilësinë e lëvizjes së qytetarëve dhe do zvogëlojë distancën me 22 minuta dhe nga Tirana në Durrës  ndërsa për në Rinas vetëm 12 minuta. Projekti do të ndikojë në rritjen e vendeve të punës. Kursimet nga përdorimi i hekurudhës krahasuar me automjetet private do të jenë 55 milionë euro në vit.

Në procedurën e konkurrimit morën pjesë 22 kompani të cilat ofertuan. Patëm një kohë të gjatë të vlerësimit të ofertave dhe duke pasur një fitues për nënshkrimin e kontratës. INC spa ka paraqitur ofertën më të mirë. Punimet do të përmbyllen brenda një afati 30 mujor ose verën e vitit 2023” tha Balluku.

Përfaqësuesi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mateo Colangeli tha në fjalën e tij se  në vazhdim banka do të tregojë angazhim për financimin e projekteve të ngjashme që kanë ndikim në ekonominë e vendit dhe ndërlidhjen rajonale.

“Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij investimi të parë në ri jetësimin e rrjetit hekurudhor shqiptar. Një rrjet i mirë funksionues hekurudhor është i mirë për ekonominë. Përparësia e parë në vazhdim do të jetë lidhja me këtë projekt e stacionit të ri në qendër të Tiranës që po financohet me një grant të BERZH. Do të financojmë këtë projekt dhe lidhjen me Malin e  Zi përmes linjës me Hanin e Hotit që është shumë i rëndësishëm si për pasagjerët dhe për mallrat” tha Colangeli.

Kostoja e projektit

Kostoja totale e projektit për linjën Tiranë-Durrës dhe nyjen e Rinasit  u llogarit 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (ËBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare. Në tetor të vitit të shkuar BERZh njoftoi se kompania italiane INC S.P.A, ishte fituese me një ofertë me 69.7 milionë euro.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët. Fillimisht projekti parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik në Tiranë (ku është sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm.

Ky projekt është në linjë me dy ndërhyrje të tjera të planifikuara në Korridorin 8 dhe në Korridorin Mesdhetar në Shqipëri, si më poshtë:

– Rruga 2: Durrës – Vorë – Shkodër – Hani Hotit / kufiri me Malin e Zi (140 km)

-Korridori 8 Durrës – Vlorë – Pogradec / kufiri me Maqedoninë e Veriut (137 km). /Monitor