FIFA planifikon t’i marrë imunitetin diplomatik Maradona-s

FIFA planifikon t'i marrë imunitetin diplomatik argjentinasit të famshëm dhe kontrovers Diego Armando Maradona për sjellje të pahijshme gjatë Kampionatit Botëror në Rusi

Krerët e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) planifikojnë t’i marrin imunitetin diplomatik argjentinasit të famshëm dhe kontrovers Diego Armando Maradona për sjellje të pahijshme gjatë Kampionatit Botëror në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Maradona gjatë ndeshjes me Nigerinë bëri disa ndërhyrje nga lozha solemne, nga ku ua tregoi “gishtin e mesëm” tifozëve të Nigerisë pasi që Argjentina shënoi golin e fitores me të cilin siguroi plasman në një të tetën e finales (2:1).

Më herët, gjatë ndeshjes së xhiros së parë të fazës së grupeve në mes të Argjentinës dhe Islandës, konsumonte duhan në tribuna, edhe pse kjo është rreptësisht e ndaluar dhe shkruhet në udhëzimet e stadiumit.

Maradona merr një honorar nga FIFA në vlerë prej 15 mijë eurosh për pjesëmarrje në ndeshje, por sipas të gjitha gjasave futbollisti më i mirë i dikurshëm do të mbetet pa paratë në fjalë dhe statusin të cilin e gëzon në organizatën botërore të futbollit.