“FETO u infiltrua në misionet e SHBA-së”

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, tha se SHBA është bërë një strehë e sigurt për anëtarët e grupit terrorist FETO

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, tha se anëtarë të organizatës terroriste FETO nuk ishin infiltruar vetëm në institucionet turke, por edhe në misionet e SHBA-së në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komentet e tij vijnë një ditë pasi një gjykatë turke dënoi Metin Topuzin, një punonjës i Konsullatës amerikane, me tetë vjet dhe nëntë muaj burg me akuzën se ndihmoi grupin terrorist FETO që qëndron pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016.

Menjëherë pas vendimit të gjykatës, ambasada amerikane e vuri në dyshim vendimin, duke thënë se vëzhguesit e saj “nuk kanë parë prova të besueshme për të mbështetur këtë vendim dhe shpresojnë se ajo do të rrëzohet me shpejtësi”.

Si përgjigje, zëdhënësi Aksoy tha se Turqia vëzhgon me shqetësim se si SHBA është bërë një strehë e sigurt për anëtarët e FETO-s.

“Në thelb, Metin Topuz nuk është i vetmi person i lidhur me FETO-n që punon në zyrat e përfaqësimit amerikan në vendin tonë. Gjithashtu, Arif Yalcin, i cili u përjashtua nga Akademia Ushtarake Turke pas përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik dhe filloi të punojë në Ambasadën e SHBA-së në tetor të vitit 2018, u arrestua për shkak të lidhjeve të tij me FETO/PDY dhe u transferua në burgun në Silivri”, tha ai.

Aksoy tha se kërkesat e përsëritura të Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të FETO-s që ndodhen në SHBA, përfshirë drejtuesin e saj, kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Kjo situatë zbulon qasjen e pandjeshme të SHBA-së ndaj grupit terrorist FETO. Për shkak të kësaj qasjeje të SHBA-së, ne me shqetësim vëzhgojmë se si SHBA është bërë një strehë e sigurt për anëtarët e grupit terrorist FETO”, tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e parimit të sundimit të ligjit në Turqi, Aksoy tha se gjyqësori turk është i pavarur.

Ai gjithashtu tha se Turqia me vendosmëri do të vazhdojë luftën e saj kundër FETO-s mbi bazën e parimeve të ligjit universal, organizatë e cila ka sulmuar unitetin kombëtar dhe rendin kushtetues të vendit.

Ai gjithashtu tha se aleatët e Turqisë, të cilët e shohin veten si pararojë të demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit, i injorojnë këto parime themelore kur bëhet fjalë për grupet terroriste që sulmojnë Turqinë.

Aksoy gjithashtu u shpreh se Topuz ka të drejtë të ankohet në gjykatën e lartë kundër vendimit brenda shtatë ditëve.

Sipas aktakuzës, Topuz ishte akuzuar se kishte kontakte me Zekeriya Öz, një nga të arratisurit kryesor të FETO-s, si dhe ish shefat e policisë dhe ushtarët e lidhur me grupin terrorist dhe ndihmonte në aktivitetet e tyre.

Ai u akuzua gjithashtu për katër krime të tjera, përfshirë përpjekjen për rrëzimin e qeverisë turke dhe spiunazhin, por u lirua nga akuzat për shkak të mungesës së provave. Gjykata vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe afër 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.