Faturimi i energjisë me vlera referuese, OSSH kërkon aplikimin edhe gjatë 2023

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group kërkoi pranë Entit Rregullator të Energjisë që aplikimi i vlerave referuese të faturimeve në rastet kur të dhënat janë të padisponueshme apo të paarritshme të zbatohet edhe gjatë vitit 2023. Duke ju referuar aplikimit të kësaj metodologjie gjatë këtij viti sipas vendimit 28 të Entit, ku…

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group kërkoi pranë Entit Rregullator të Energjisë që aplikimi i vlerave referuese të faturimeve në rastet kur të dhënat janë të padisponueshme apo të paarritshme të zbatohet edhe gjatë vitit 2023. Duke ju referuar aplikimit të kësaj metodologjie gjatë këtij viti sipas vendimit 28 të Entit, ku matja ka rezultuar më afër shifrës reale OSSH. Një metodologji më e hershme e miratuar nga ERE sipas OSSH ka rezultuar me një diferencë më të madhe mes situatës së konsumit real.

“Diferenca  ndërmjet  dy metodologjive   vjen si pasojë  e disa faktorëve; Së pari  si rezultat  i diferencës  së konsumit  të vitit 2020 ( që është një vit që përllogaritet  sipas metodologjisë  së Vendimit  Nr.  181),  si një  vit gjatë të cilit prej  emergjencës  kombëtare  të shkaktuar  nga COVID-19,  kishim një rënie të konsumit  apo pamundësi  leximi nga ana e OSSH Sh.a për një pjesë të konsumatorëve.

Së dyti si rezultat i rritjes se konsumit  për periudhën pas emergjencës së pandemisë, vjeshtë-dimër  2020. Së treti, për kontratat  e reja është aplikuar mesatarja e vitit të fundit, ndërkohë  që me Vendimin Nr.  181 do të  faturoheshin  me konsum  0.

Së katërti kontratat  të cilat nuk kanë patur një historik  faturimi  apo të cilat kanë patur më shumë se një vit të kaluar me konsum  0, duke përdorur  metodologjinë e Vendimit  Nr.28/2021,  janë faturuar sipas mesatares se konsumit  të vitit të fundit,  që i afrohet  edhe më shumë realitetit  të sjelljes  së këtyre  konsumatorëve. Referuar  sa me sipër,  si dhe  duke  qenë  se ndryshimet   e parashikuara  në Vendimin  Nr.  28/2021,  i shtrijnë  efektet juridike  deri më 31 Dhjetor  2022, kërkojmë  nga ana Juaj, qe OSSH  Sh.a të aplikojë  të njëjtën  metodologji për vlerat referuese  zëvendësuese edhe gjatë vitit 2023” thuhet në kërkesën e OSSH.

Kërkesa i referohet vendimit 28 të datës 14.2.2022 për vlerat referuese ku thuhet se në rastet kur Furnizuesi merr dijeni nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se një muaj (matësi është i dëmtuar, matësi është jashtë kushtit teknik apo mungon aksesi në të dhënat e matjes), faturimi i energjisë elektrike do të bëhet me vlerë referuese.

“Kjo vlerë do të përllogaritet bazuar në të njëjtin konsum të muajit respektiv të vitit të mëparshëm. Periudha e faturimit sipas këtyre vlerave referuese nuk mund të zgjasë me shumë se tre muaj” thuhet në vendim. I njëjti nënvizon se Furnizuesit të cilët lëshojnë faturë me vlerë referuese, të raportojnë në ERE periodikisht çdo 2 (dy) muaj, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës të periudhës se raportimit, në lidhje me gjetjet e tyre mbi këto modalitete faturimi duke përfshirë analizë krahasimore të ankesave të regjistruara përgjatë aplikimit, si dhe rezultatet e të dhënave reale të matjes.