Familja palestineze jeton mbi rrënoja pasi shtëpia iu shkatërrua në sulmin izraelit

Fëmijët e vegjël, fytyrat e të cilëve janë të skuqura nga zjarri por që shpinën e kanë të ftohtë struken në prehër të nënave të tyre për të mos u sëmurë

Familja palestineze, shtëpia e së cilës u shkatërrua në sulmet izraelite në Rripin e Gazës nën okupim rreth 2 muaj më parë, lufton për të mbijetuar në një tendë (çadër) të improvizuar.

Shtëpia e familjes Ebu Amra prej 17 anëtarësh u shkatërrua në sulmet që forcat izraelite kryen në nëntor 2019. Familja nga Gaza ngriti një tendë me llamarina dhe copa të improvizuara mbi rrënojat e shtëpisë së tyre për të kaluar stinën e dimrit të ftohtë dhe me shi pasi nuk mundën të gjenin vend tjetër për të qëndruar.

E mbledhur rreth një zjarri të ndezur para tendës, familja filloi të plotësojë këtu nevojat e saj për ngrohje, gatim dhe ngrënie.

Fëmijët e vegjël, fytyrat e të cilëve janë të skuqura nga zjarri por që shpinën e kanë të ftohtë struken në prehër të nënave të tyre për të mos u sëmurë.

Duke mos pasur veshje dhe batanije të mjaftueshme, familja palestineze përpiqet ta kalojë ditën nën ‘kthetrat e dëshpërimit‘. Ndërsa në kohën me diell fëmijët e kalojnë ditën në përgjithësi duke luajtur rreth tendës.

“Duam një vend ku të strehohemi”

I trishtuar duke vërejtur rrënojat e shtëpisë së tij, babai Hamude Ebu Amra dëshiron të ndërtojë një shtëpi të re ku mund të mbrojë nga i ftohti bashkëshorten, 7 fëmijët, dy prej të cilëve të martuar, 2 nuset dhe 6 nipërit e mbesat e tij.

“Ndodhemi në një tragjedi. Përpiqemi të heqim ujërat e shiut që hyjnë brenda çadrës gjatë natës. Askush nuk na shikon dhe dëgjon. Duam një vend ku të strehohemi. Edhe për sa kohë mund të rezistojmë në këtë situatë! A është njerëzore kjo jetë? Nuk kemi shtretër, nuk kemi as veshje që të na mbrojë nga ftohti. Edhe gjumë nuk mund të bëjmë siç duhet”, thotë për Anadolu Agency (AA), babai Ebu Amra, lidhur me situatën e vështirë në të cilën ndodhen.

Ebu Amra shtoi më tej se ai dhe bashkëshortja janë të sëmurë, që nuk janë ndihmuar nga askush dhe që nuk janë kontaktuar nga askush për rindërtimin e shtëpisë së tyre.

Ngjarja

Sulmi ajror që ushtria e Izraelit kreu më 12 nëntor 2019 ndaj shtëpisë ku ndodhej Baha Abu al-Atta një nga komandantët e Al-Quds, krahut ushtarak të grupit Xhihadi Islamik në lindje të Gazës, shkaktoi sërish rritjen e tensioneve në rajon.

Pas këtij sulmi ku si pasojë humbën jetën Baha Abu al-Atta dhe bashkëshortja e tij Asmaa Abu al-Atta, grupi Xhihadi Islamik iu kundërpërgjigj me goditje raketore sulmit izraelit.

Për shkak të sulmeve izraelite të zhvilluara gjatë dy ditëve në Gaza humbën jetën 34 palestinezë, përfshirë 8 fëmijë dhe 3 gra, ndërkohë që u plagosën edhe 110 të tjerë. Si pasojë e sulmeve gjithashtu u dëmtuan dhe u shkatërruan shumë shtëpi dhe ndërtesa.

Xhihadi Islamik në një deklaratë më 14 nëntor njoftoi hyrjen në fuqi të armëpushimit të arritur nga ndërmjetësimi i Egjiptit me Izraelin.