Falimenton kompania ajrore “Fly Ernest”

Kompania lë neper aeroporte qindra pasagjerë...

“Qindra qytetarë të cilët presin të fluturojnë nga Tirana për në destinacionet italiane: Pizza, Bergamo dhe Bolonja janë duke pritur prej orësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për të nisur udhëtimin me kompaninë Fly Ernest. Fluturimet janë shtyrë dhe anuluar disa herë, por askush nga kompania nuk ndodhet në sportel për të sqaruar klientët”.

Sporteli i linjës Fly Ernest është mbyllur. Askush nuk sqaron qytetarët që kanë prerë biletat me këtë linjë se përse fluturimi i tyre është shtyrë disa herë, ndërsa për Bolonjën dhe Pizzën është anulluar teresisht, raporton Tv klan.

Koncesionari i Rinasit nuk lejoi që kamera të hyjë brenda dhe të filmojë, por përmes videove të bëra nga qytetarët në aeroport duket që numri i qytetarëve që u është shtyrë dhe anuluar fluturimi shkon afërsisht në 200 persona.

Qytetarët dolën jashtë për të kërkuar zgjidhje ose kompensim të biletës. Kjo çoi edhe në një përplasje të tyre me personat e sigurisë të aeroportit.

Ata thonë se po udhëtojnë në këto vende pasi kanë lënë takim me mjekun në spital, e për disa të tjerë fëmijët duhet të kishin nisur shkollën që sot.

Biletat e prera me Fly Ernest nuk kanë kushtuar pak, ndërsa prerja e biletave me linja të tjera në minutën e fundit është e kushtueshme e për disa e papërballueshme.

Burime pranë kompanisë Fly Ernest dhe Autoritetit të Aviacionit Civil thonë se ka ende me qindra qytetarë të cilët kanë prerë biletat me këtë linjë fluturimi, fati i udhëtimit të të cilëve nuk dihet se si do të zgjidhet.

Më datën 29 dhjetor Autoriteti i Aviacionit Civil i pezulloi licencën shoqërisë ajrore Ernest SPA, për shkak të detyrimeve në gjoba dhe tarifa që kjo kompani ka akumuluar si detyrime për t’i paguar autoriteteve italiane dhe vështirësive financiare që ka patur, ndërsa la në fuqi udhëtimet deri më datën 13 janar për të mos lënë pa udhëtuar personat që kanë prerë biletat me këtë linjë.

Megjithatë shumë qytetarë të tjerë kanë prerë bileta me kompaninë Fly Ernest dhe nuk do të munden të udhëtojnë. Në një përgjigje zyrtare për Televizionin Klan, Autoriteti i Aviacionit Civil fton qytetarët që të bëjnë kërkesat për rimbursim si e vetmja zgjidhje që mund të merret në bazë të rregullave të Bashkimit Europian.

Kompania Ernest morri licencën në Itali dhe nisi fluturimet në vitin 2016-ë duke patur si destinacion kryesor Tiranën, Italinë, Ukrainën, Spanjën dhe Rumaninë, ndërsa në bazë të dokumenteve të administratës të Aeroportit të Tiranës person i lidhur me këtë firmë rezulton të jetë Ilir Xhelo, pronar i ish kompanisë ajrore Belle Air e cila falimentoi në vitin 2013-ë duke lënë një borxh prej më shumë se 12 milion eurosh për autoritetet shqiptare dhe aeroportin e Tiranës dhe miliona euro dëme për udhëtarët që kishin prerë biletat.