Janë zhvilluar në Shqipëri ndeshjet e ditës së tretë të fazës finale të Kampionatit Evropian të Volejbollit U-19 për femra, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja Rusi-Turqi e zhvilluar në sallën sportive “Feti Borova”, në Parkun Olimpik të Tiranës, përfundoi me rezultatin 3-1 (25-23, 25-12, 16-25, 25-20), në favor të ekipit rus.
Ndeshja u ndjek edhe nga ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, si dhe nga tifozë që mbështetën ekipin turk.
Kombëtarja U19 e Shqipërisë në volejboll për femra është mundur me rezultatin 3-0 (25-13, 25-6, 25-9) nga ekipi i Polonisë.
Në Tiranë dhe Durrës sportdashësit kanë ndjekur ndeshjet e këtij kampionati, që vazhdon prej disa ditësh, ndërsa do të përfundojë më 9 shtator.
Grupi A ku bën pjesë Shqipëria i luan ndeshjet në Durrës, ndërsa Grupi B ku bën pjesë Turqia i zhvillon në Tiranë. Ekipi turk ndeshjen e radhës e ka me Serbinë më 5 shtator, ndërsa Shqipëria me Bullgarinë.
Në fazën finale marrin pjesë ekipet e Shqipërisë, Turqisë, Serbisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Holandës, Rusisë, Bjellorusisë, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Francës.
Evenimenti sportiv organizohet në bashkëpunim mes Federatës Evropiane të Volejbollit dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.