Bashkimi Europian duhet të marrë parasysh rekomandimin e Komisionit Europian dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, deklaruan për median eurodeputetët e djathtë austriakë, Othmar Karas dhe Lukas Mandl, duke kërkuar që të mbahet premtimi.
Deputetët e Partisë Popullore Austriake, pjesë e grupimit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, deklaruan se “ne duhet të eksportojmë stabilitetin në mënyrë që të mos importojmë paqëndrueshmërinë”.
Deklarata e plotë e publikuar në median austriake “Vienna International News”:
Pasi Komisioni i BE-së lëshoi një rekomandim për hapjen e bisedimeve të pranimit për të dy vendet e Ballkanit Perëndimor Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, parlamentarët europianë të Partisë Popullore Austriake (ÖVP) Karas dhe Mandl kërkojnë që të mbahen premtimet. Vendimi për fillimin e bisedimeve do të merret nga Shtetet Anëtare në qershor, raporton ATA.
“Bashkimi Europian duhet të respektojë angazhimet e veta ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, prandaj është një hap i rëndësishëm dhe i drejtë për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas një ekzaminimi te kujdesshëm, Komisioni Europian ka vendosur që këto dy vende të përmbushin kushtet për anëtarësim”, deklaron Othmar Karas, eurodeputeti, duke komentuar mbi rekomandimin e Komisionit Europian për të hapur negociatat e pranimit për të dy shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Është e qartë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet vazhdimisht të zbatojnë reforma me një ndikim më të të gjerë, veçanërisht në fushën e drejtësisë, të drejtave themelore, mbrojtjes së pakicave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, duhet të përmirësojnë dhe normalizojnë marrëdhëniet mes shteteve fqinje. Zgjidhja e mosmarrëveshjes mbi çështjen e emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ishte një shembull i shkëlqyer”, tha Karas.
“Por nëse veprojnë, Bashkimi Europian duhet të vendosë për perspektivën e pranimit të këtyre shteteve, vetëm në këtë mënyrë mund të përforcojmë përgjithmonë vlerat europiane dhe miqësinë e ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor. Nëse nuk e bëjmë këtë, ndikimi i Rusisë, Kinës apo vendeve të tjera në lagjen tonë të afërt mund të kërcënojnë të fitojnë një terren më të fortë”.
“Ne duhet të eksportojmë stabilitetin, në mënyrë që të mos importojmë paqëndrueshmërinë. Kjo moto e Komisionerit të BE-së Johannes Hahn duhet të vazhdojë të jetë objektivi i qartë i politikës së BE-së drejt Europës Juglindore”, tha Lukas Mandl, anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian në Kosovë.
“Për qytetarët e Kosovës, liria për të udhëtuar është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.