Monedha e përbashkët europiane ka prekur këtë të mërkurë një rekord tjetër historik kundrejt monedhës vendase, duke u këmbyer me 109.4 lekë në blerje. Gjatë ditëve të fundit euro ka regjistruar rekorde të reja minimale një pas një. Këtë të Mërkurë, sipas Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i kembimit të euros fiksohet pranë 109.69 lekëve, ndërsa në blerje pranë 109.39 lekëve.
Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se më datë 25, 26 dhe 29, 30 dhe 31 Maj euro ka regjistruar 5 rekordet më të ulta historike kundrejt lekut, që prej vitit 2003. Në fund të vitit të kaluar, në ditën e fundit të vitit, euro këmbehej me 114.23 lekë, ndërkohë që me hyrjen e vitit 2023 u ngjit ndjeshëm, deri në 117.46 lekë, në datën 6 janar. Që prej asokohe, euro është zhvlerësuar me 6% kundrejt monedhës vendase.
Ekonomia shqiptare është mjaft e varur nga monedha europiane, dhe euroizimi vijon të jetë në nivele të larta, me depozitat dhe kreditë në euro që zënë thuajse gjysmën e portofolit dhe me transaksionet me vlerë nominale të lartë, si blerje apartamentesh, tokash apo makinash që kryhen në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, shkaktarët kryesorë të rënies së euros janë remitancat e larta, Investimet e Huaja Direkte dhe turizmi. Faktikisht të tre këta tregues kanë prekur nivele rekord të larta gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Shifrat e turizmit flasin për nivele historike, bindshëm përtej atyre të para-pandemisë.
Por, në një kohë që këta tre faktorë ndikojnë negativisht në pozitat e euros kundrejt lekut, faktorë të tjerë pritej të jepnin efektin e kundërt, si psh mbyllja e bilanceve të vitit 2022 dhe tremujorit të parë të këtij viti për kompanitë e huaja që operojnë në vendin tonë, të cilat rrjedhimisht transferojnë euro jashtë, apo edhe kompanitë shqiptare që investojnë jashtë. Por, as këta faktorë nuk po e ndalin rënien e euros në vendin tonë.
Nga ana tjetër, me hyrjen e sezonit turistik në kapacitet të plotë, flukset e larta të turistëve dhe të euros vënë edhe më tej në pikepyetje pozitat e monedhës europiane në vendin tonë. Eksportuesit, familjet e emigrantëve dhe ata që kanë kursimet në euro pritet të pësojnë dëmin më të madh financiar nga ky “kolaps” i kursit të këmbimit për monedhën e përbashkët, ndërkohë që përfitojnë importuesit, huamarrësit në valutë dhe sidomos financat publike me borxhin e jashtëm.
Roel Korkuti/SCAN