Euro apo lek? Pse shqiptarët kanë preferuar gjithmonë valutat

Që nga viti 2003, makinat, shtëpitë dhe tokat në Shqipëri nisën të shiteshin thuajse tërësisht në euro. Kursimet gradualisht u zhvendosën drejt monedhës europiane, edhe pagat më të preferuara po ashtu, kredia filloi të merrej në euro, duke e bërë atë edhe sot monedhën që përdoret thuajse sa leku në ekonominë tonë.

Prirja e shqiptarëve për të preferuar monedhat e huaja kundrejt lekut lidhet me historinë, ku ngjarje të caktuara kanë ndikuar në besueshmëri dhe në këtë qasje. Goditjen e parë për monedhën vendase, shqiptarët e morën në fillimet e emetimit të saj, në kohën e Zogut, kur në vitin 1926, ai mblodhi arin në këmbim të sasive të mëdha të kartëmonedhave. Këto kartëmonedha u zhvlerësuan ndjeshëm, duke bërë që kursimtarët të humbnin shumë.

Pas vitit 1944, shqiptarët do të merrnin dhe një tjetër goditje, teksa shumë panë që monedhat e tyre të fshehura të floririt u morën nga regjimi komunist dhe ata u detyruan të bashkëjetonin me lekun shqiptar. Kjo situatë vijoi deri në vitin 1990. Kur kursi i këmbimit u la i lirë dhe inflacioni u rrit me hapa galopantë, dollari fitoi vendin e dëshiruar fshehurazi në kohën e komunizmit.

Monedha amerikane, pas viteve ‘90 ishte pika e fortë mbështetëse për shumë shqiptarë. Por, që prej vitit 2002, shumë individë panë kursimet e tyre në dollarë të zhvlerësoheshin, si rrjedhojë e nënçmimit të dollarit. Në mënyrë të natyrshme, shqiptarët e braktisën monedhën amerikane për t’u mbështetur te një monedhë tjetër e re dhe e fortë, ajo europiane, prirje që duket se do të vazhdojë.