Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper bëri të ditur se nuk do të hyjnë në luftë me Turqinë, që është një aleate në NATO.
Esper u lidh në një reportazh të posaçëm në Arabinë Saudite në programin e drejtuar nga Christiane Amanpour, në kanalin “CNN International” dhe bëri deklarata në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Sirisë.
Ai tha se arsyeja themelore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë me YPG/PKK në Siri është lufta kundër DAESH-it dhe marrëdhënia në fjalë është vendosur në periudhën e mëparshme të Barack Obamas.
“Ne nuk jemi vendosur në detyrë për të mbrojtur kurdët (YPG/PKK) ose të ndihmojmë ata për të krijuar një shtet autonom kurd kundër një vendi (Turqi), që është prej një kohë të gjatë aleat në NATO” u shpreh Esper.
Ai u shpreh se ishte prezent edhe vetë gjatë bisedës telefonike më 6 tetor ndërmjet Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Presidentit amerikan, Donald Trump.
“Disa ditë përpara asaj bisede homologu turk më kishte bërë të ditur se do të fillonin operacionin (Burimi i Paqes). Edhe në atë bisedë Presidenti Erdoan na paralajmëroi se do të fillonin këtë proces. Turqia është një aleate e NATO-s dhe ne nuk do të hyjnë në luftë me aleaten” u shpreh Esper.
Gjithashtu ai hodhi poshtë lajmet dhe pretendimet se me rastin e operacionit të Turqisë janë arratisur mijëra terroristë të “DAESH-it” dhe u shpreh duke thënë: “Ne kemi marrë informacione se nga rreth 11 mijë të burgosur në verilindje të Sirisë janë arratisur vetëm pak mbi 100 terroristë të DAESH-it. Si rrjedhojë tani nuk jemi ballë për ballë me një arratisje masive”.
Esper me këtë deklaratë konfirmoi se lajmet që zënë vend veçanërisht në median Perëndimore se “për shkak të operacionit të Turqisë janë arratisur mijëra të burgosur të DAESH-it” nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Ai bëri të ditur gjithashtu se rreth 1 mijë trupa amerikane, që do të transportohen nga Siria në Irak, pasi të qëndrojnë për një farë kohe në këtë vend, do të kthehen në Amerikë.
Kurse në lidhje me mbrojtjen e rajoneve të naftës dhe luftën kundër DAESH-it, Sekretari amerikan i Mbrojtjes ripërsëriti se një numër i kufizuar i ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë në një rajon të caktuar në lindje të Sirisë.