A është ambasadori Lu “Trumpist” dhe ç’duhet të bëjë PD?

Fitim Zekthi

Sociologu Peter Berger, përpos të tjerash, është i njohur edhe për krijimin e një koncepti shumë të rëndësishëm si ‘struktura e të besueshmes”. Me këtë koncept ai shënjon një kontekst sociokulturor dhe politik brenda të cilit fitojnë statusin e të qenit të “vërteta”, “normale”, “të drejta”, “reale”, të “vlefshme” një tërësi bindjesh, pikëpamjesh, idesh apo vlerësismesh. Njerëzit që jetojnë në këtë sistem socio kulturoro-politik kanë pak gjasa që të sfidojnë apo vënë në diskutim atë që del nga ky sistem. Përkundrazi ata e marrin për të mirëqenë atë që del nga ai madje edhe e asimilojnë atë duke qenë ndoshta edhe të asimiluar. Shqipëria është sot saktësisht një vend i tillë. Qeveria shqiptare me gjuhën, praninë e vazhdueshme në media, me fuqinë për të përcaktuar programin e emisioneve televizioneve, me pushtetin për të imponuar axhendën e saj, me kapacitetin për të “bashkëpunuar” me ambasadorë, me analistë dhe media që kanë “industrializuar” mashtrimin apo shtrembërimin për llogari të tyre etj., ka krijuar një sistem të tillë si ai për të cilin flet Peter Berger.

Si pasojë e këtij sistemi shumica shtyhen të mendojnë se politika e presidentit Trump, ajo e sekretarit Tillerson janë në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe të ambasadorit Lu për të përfunduar Reformën në Drejtësi. Vendimi i sekretarit të shtetit për të mos lejuar të hyjnë në SHBA ish-kryeprokurori Llalla me familjen e tij për shkak të dyshimeve se ai është i korruptuar u shit si mbështetje e sekretarit për ambasadorin Lu, u shit si goditje për partinë demokratike e cila shpreson se administrata e re amerikane do të jetë më mirëkuptuese me atë si parti e djathtë. Struktura që përkthen si “të vërtetë, të vlefshme, reale” atë që do kjo strukturë tha se administrata e Trump goditi PD-në, goditi ata që kritikojnë ambasadorin Lu dhe i dha mbështetje reformës, pra qeverisë.

Së pari, duhet thënë se moslejimi i hyrjes në SHBA të ish-kryeprokurorit nuk është ndonjë dramë. Ai nuk ka pse të ketë lidhje me opozitën dhe nuk duhet të ketë. Llalla ka qenë një prokuror që për pesë vite e la prokurorinë në mjerimin që e gjeti, në mjerimin e përdorimit politik dhe në mjerimin e mosndëshkimit të asnjë njeriu me pushtet. Llalla dhe prokurorët e tij ishin gjahtarë të hallexhinjve, të atyre që s’paguanin dritat, të atyre që kishin vjedhur tela, dele, biçikleta, të atyre që ishin rrahur apo plagosur për gardhet apo kanalet e vaditjes etj. Prokuroria duhet të merret edhe me to por nuk janë ato çështjet ku ajo shfaq pushtetin e saj. Llalla dhe prokurorët e tij bënë atë që bëri Rakipi, Sollaku, dhe Rama duke bërë lojëra politike, intriga dhe duke thelluar kulturën e pandëshkueshmërisë. Siç Rakipi hetoi politikisht Halit Shamatën, Ali Kazazin apo Dritan Priftin, siç Sollaku hetoi politikisht kryetarin e Ballit Kombëtar Artur Roshi, siç Ina Rama hetoi politikisht Lulzim Bashën apo çështjen Fazllic ashtu edhe Llalla hetoi politikisht Fullanin apo Shpëtim Gjikën. Askush nuk e di në është korruptuar duke marrë ryshfet Llalla apo jo, por ai prokurorinë e drejtoi si paraardhësit. Kësisoj marrja e një vendimi të tillë nga sekretari i shtetit Tillerson është diçka krejtësisht normale, ndonëse duket dora që shtyn e ambasadorit Lu, i cili edhe ka luftuar verbalisht me të. Pra nuk duket se mund të thuhet se ka arsye që të shihet ky vendim si kundër PD-së dhe pro qeverisë. Çështja është nëse mund të shihet ai si vendim që tregon se shpresa e PD-së për një qasje të re të politikës së jashtme amerikane është e kotë.

Mike Gonzales, një studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një njeri i afërt me administratën e presidentit Trump shkruante pak ditë më parë në Heritage Foundation se gradualisht gjërat në Departamentin e Shtetit po ndryshojnë dhe qasja e republikanëve do të jetë e ndryshme nga e demokratëve. Ai shkruante se presidenti Trump i ka kërkuar Kongresit ndryshime (veç atyre për Kubën, Korenë, Iranin, Kinën etj.), në mënyrën se si qeveria amerikane financon vende të ndryshme në mënyrë që axhenda kulturore progresisto-liberale të mos financohen më. Mike Gonzales thotë se administrata e re ndonëse ngadalë i sheh forcat e djathta dhe ato konservatore si aleatët e saj dhe do të punojë me ta ngushtë. Ai thotë se “administrata ka nisur të ndjekë një qasje konservatore duke mos goditur forcat e djathta (siç ka bërë deri më tani administrata) dhe po kthen krejt përmbys progresizmin ndonëse për arsye strukturore kjo është e vështirë dhe kërkon kohë. Për të ndaluar projekte që promovojnë martesat gay, aktivizimin e rrugës, abortin etj., do të duhen programe që po nisin jetësimin”.

Kështu zëvendëspresidenti Mike Pence e siguroi në telefon kryeministrin konservator Duda të Polonisë se ata do të jenë aleatë të tyret. Qeveria amerikane ka siguruar për mbështetjen edhe konservatorët e Orban në Hungari. Mike Gonzales shkruan se një sinjal i rëndësishëm ishte largimi nga departamenti i shtetit i Hoyt Bryan Yee. Gonzales thotë se Yee u detyrua të japë dorëheqjen, sepse u konsiderua një njeri që duke shfrytëzuar vakumin e pushtetit punoi kundër axhendës konsevatore. Drejtori i planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit, Brian Hook thotë se “aleatët tanë duhet të trajtohen ndryshe nga kundërshtarët”. Politika e nëntë viteve të fundit do të përfundojë. Gonzales përmend faktin që Victoria Nuland, asistentsekretare për Europën e quajti kancer për demokracinë atë që po ndodhte nën qeverinë Orban. Gjithashtu ambasada amerikane në Poloni ishte promovuese e martesave gay duke irrituar qeverinë e Duda-s. Péter Szijjártó, ministri i Jashtëm i Hungarisë thotë se Nuland iu kërkoi në mënyrë ultimative atyre që të ndryshonin Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, mënyrën e rregullimit të kishës etj. Kjo gjë tashëm ka marrë fund thotë ai. Gonzales thotë se departamenti shtetit po zëvendëson siç thotë ai “nulandizmin” me “hookerizmin”. Ai thotë se në Maqedoni koha nuk premtonte dhe atje Zaev i përkrahuar nga qasja e vjetër Nuland -Yee arriti të kthehet në yllin e mbështetur nga ata.

Kësisoj nuk mund të ketë në vendimin e Tillerson asgjë kundër PD-së. Administrata e re amerikane gradualisht do ta ngushtojë qarkun për qeverinë Rama dhe kjo jo thjesht sepse Rama ka folur budallallëqe kundër Trump, por sepse ata do t’i shohin të djathtët si aleatët e tyre më të afërt. Mënyra si sillet sot Lu do të harrohet shpejt, siç u harrua mënyra se si sillej Withers apo Arvizu. Vetëm partia Demokratike mund të pengojë ngushtimin e qarkut për Ramën duke mos arritur të shfaqet një forcë e djathtë konservatore por thjesht një forcë politike e zakonshme që luan për të njëjtat gjëra, në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat parime si Rama dhe si PS. Kjo ka shumë pak ose aspak gjasa të ndodhë, pasi sido që të jetë ajo është partia që u vu përballë Partisë së Punës në 1990. Është partia që oshëtinte nga thirrjet Enver Hitler, e duam Shqipërinë si Europa, është partia tek e cila shkuan mijëra e mijëra njerëzit që morën pjesë në meshën e parë të zhvilluar në varrezat e Rrmajit dhe në faljen e parë të zhvilluar në xhaminë e Plumbit ndërsa PS sido që të ndodhë mbetet ajo tjetra…