Escobar takon Ramën, i dërguari amerikan pritet edhe nga presidenti

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar turin e takimeve tre ditore në Tiranë e nisi me kryeministrin Edi Rama.

Më pas i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim, ngjiti shkallët e presidencës për tu pritur prej presidentit Bajram Begaj.
Presidenca thotë se Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin sot në qendër të takimit.

Presidenti Begaj, vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të tij”, citohet të ketë deklaruar presidenti Begaj në takim.

“Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride”, thotë presidenca.

Të Mërkurën paradite Gabriel Escobar do të takohet me Enkelejd Alibeajn në selinë e re ku ai qëndron përballë Gjykatës Kushtetuese.

Zyra e Shtypit në Partinë e Lirisë konfirmon edhe një takim mes Ilir Metës dhe zotit Escobar.

Zgjedhjet Lokale, çuarja përpara e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë përfshi ndihmën amerikane në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, përballë sulmeve kibernetike, janë temat e pritshme diskutimi mes Gabriel Escobar dhe bashkëbiseduesve të tij në Tiranë.