Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj e ke rikthyer sërish vëmendjen në ndërtimin e Teatrit të ri. Teksa inspektoi punimet e Bulevardit të ri në Kashar, ai e konsideroi projektin e teatrit jo vetëm një godine dinjitoze për Tiranën, por edhe një premtim të dhënë artistëve të mëdhenj.
Po punojmë edhe në rrugën “Kadri Roshi”. Jam i sigurt se mund të ketë njerëz që për nostalgji thonë se rruga e aktorit të madh s’duhet të preket. Sot është në fakt një rrugicë, si monopat. Duke e kthyer në rrugë me standarde i bëjmë nder edhe emrit të Kadri Roshit. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin. Nëse nuk vëmë dorë është e kotë të ‘krenohemi’ për artistët e mëdhenj, nëse nuk arrijmë të çojmë amanetin e tyre deri në fund, për një qytet dinjitoz, për një teatër dinjitoz, për varreza dinjitoze apo për rrugë dinjitoze, që mbajnë emrat e tyre”, tha Veliaj.
Bulevardi “Migjeni” do të lidhet me një rrjet rrugësh, të cilat kanë nisur të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku siguroi se urbanizimi do të prekë edhe ato zona të cilat si pasojë e keqadministrimit nga ish-komunat kanë mungesa në infrastrukturë. “Kemi disa realitete që bashkëjetojnë në Tiranë. Tek zona e Trenit kemi bulevard pa qytet, kurse te zona e Kasharit kemi qytet pa bulevard; ndaj është koha që atje ku është bulevardi, të vijë edhe qyteti, dhe KKT-ja sapo ka miratuar planin e madh të bulevardit. Ndërkohë, këtu ku kemi qytet pa bulevard, t’i ofrohet infrastruktura e shërbimeve. Jam shumë i lumtur që kemi mbërritur në këtë ditë, ku po ndërtojmë bulevard në Kashar, dhe në njëfarë mënyre rikuperojmë defektet të urbanistikës së kaluar, nga koha e ish-komunës”, tha ai, teksa nënvizoi se investimet e reja do të rrisin edhe vlerën e pronës së qytetarëve dhe të bizneseve.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Bashkia po shfrytëzon periudhën e verës për të ecur me shpejtësi në projektet e nisura për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Burimi : Klan