Erdoğan zhvillon bisedë telefonike me presidentin francez Macron

"Kriza humanitare do të thellohet përsa kohë që regjimi në Siri nuk do të ndalë sulmet e tij", tha Erdoğan, duke shtuar se presioni i refugjatëve në kufirin e Sirisë me Turqinë ka filluar të vështirësojë në mënyrë të natyrshme edhe kufijtë me Evropën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Zyra për komunikime e Presidencës thuhet se në bisedë krahas çështjeve rajonale dhe marrëdhënieve Turqi-Francë është diskutuar edhe çështja e refugjatëve, kriza e Sirisë dhe kryesisht Idlibi.

Erdoğan ka vënë në dukje se elementët e regjimit e kanë paguar në mënyrën më të rëndë koston e sulmit mizor kundrejt njësive turke në Idlib.

Ai tha se dëshirojnë që solidarizimin e aleancës së NATO-s ta shohin jo vetëm në nivel retorik por në mënyrë të hapur dhe konkrete.

“Kriza humanitare do të thellohet përsa kohë që regjimi në Siri nuk do të ndalë sulmet e tij”, tha Erdoğan, duke shtuar se presioni i refugjatëve në kufirin e Sirisë me Turqinë ka filluar të vështirësojë në mënyrë të natyrshme edhe kufijtë me Evropën.

“Në çështjen e refugjatëve, komuniteti ndërkombëtar, kryesisht Evropa dhe vendet anëtare duhet t’u përmbahen përgjegjësive të tyre dhe duhet të mbështesin Turqinë me ndarjen e drejtë të barrës dhe përgjegjësisë”, ka thënë gjatë bisedës Erdoğan.

Pasi ka theksuar se Turqia strehon 4 milionë refugjatë dhe se 1.5 milionë të tjerë ndodhen aktualisht pranë kufijve të saj, Erdoğan tha se presin propozime dhe mbështetje konkrete nga Franca dhe Evropa për sirianët e zhvendosur që janë problem i përbashkët i të gjithë rajonit.