Erdogan: Turqia s’mund të bëhet spektatore e masakrave për interesat e regjimit të Esadit në Siri

Në rast se mbyllen sytë ndaj vrasjes së dhjetëra-mijëra njerëzve të pafajshëm për interesat e regjimit të Esadit në Siri, atëherë Turqia s’mund të marrë pjesë në një lojë të tillë dhe as të bëhet spektatore e saj, deklaroi të premten Presidenti Erdogan...

Në rast se mbyllen sytë ndaj vrasjes së dhjetëra-mijëra njerëzve të pafajshëm për interesat e regjimit të Esadit në Siri, atëherë Turqia s’mund të marrë pjesë në një lojë të tillë dhe as të bëhet spektatore e saj, deklaroi të premten vonë Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Kreu i shtetit turk postoi në llogarinë e tij zyrtare në “Twitter” një seri mesazhesh në turqisht, anglisht, rusisht dhe persisht, në lidhje me samitin trepalësh Turqi-Rusi-Iran që u mbajt një ditë më parë në Teheran.

“Turqia po përpiqet që të ndalë gjakderdhjen në Siri që nga shpërthimi i krizës. Ne nxituam të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat nga Siria pa diskriminim. Sot, ashtu si dhe në të kaluarën, ne duam që të mos vuajë asnjë prej vëllezërve tanë ose motrave tona siriane, madje as edhe që t’u rrjedhë gjak nga hunda.

Rëndësia që iu bashkëngjitëm samitit trelateral të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, të cilin e mirëpriti vëllai im i dashur, Hassan Rouhani dhe e ndoqi gjithashtu miku im i dashur, Vladimir Putin, pasqyron kujdesin e Turqisë për të ardhmen e vëllezërve tanë dhe motrave tona siriane.

Në samitin e sotëm (7 shtator) në Teheran, Turqia bëri të ditur qartë se përdorimi i metodave që shpërfillin jetën civile, do t’u shërbejnë vetëm interesave të terroristëve.

Nëse bëhet një sy qorr ndaj vrasjes së dhjetëra-mijëra njerëzve të pafajshëm për interesat e regjimit, atëherë ne s’mund të marrim pjesë në një lojë të tillë dhe as të bëhemi spektatorë të saj.

Çështja e Idlibit duhet të zgjidhet në përputhje me frymën e Astanës dhe pa shkaktuar dhimbje, tensione të reja ose më shumë vuajtje. Mbështetja e parimeve, për të cilat jemi pajtuar në Astanë, është çelësi për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike edhe për krizën siriane.

Është e domosdoshme që të shmanget çdo fakt i kryer nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit dhe t’u rezistohet agjendave separatiste që kërkojnë të minojnë integritetin territorial të Sirisë dhe sigurinë kombëtare të vendeve fqinje.

Si një vend që strehon më shumë se 3,5 milionë sirianë, Turqia do të vazhdojë të përpiqet për riatdhesimin vullnetar e të sigurt të refugjatëve dhe për një zgjidhje të qëndrueshme, e cila do të krijojë një terren të përbashkët për të gjitha palët në konfliktin sirian”, shkroi Presidenti Erdogan në rrjetin social, “Twitter”.