Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur të zgjerojë një hap më tepër marrëdhëniet dypalëshe me Venezuelën, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne vendosëm të ruajmë momentumin që kemi arritur gjatë dy viteve të fundit dhe t’i zgjerojë më tepër marrëdhëniet tona”, deklaroi presidenti Erdoğan në kryeqytetin Caracas, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij venezuelian, Nicolas Maduro.
Erdoğan përsëriti se ai është presidenti i parë turk që qëndron për vizitë në Venezuelë, duke shtuar se, “Shpresojmë që vizitat e nivelit të lartë midis zyrtarëve të të dy vendeve do të vazhdojnë gjithnjë e më shumë”.
Ai po ashtu tha se Turqia planifikon të ndërtojë një xhami në Caracas me kërkesë të Venezuelës.
Presidenti Erdoğan bëri të ditur se Venezuela një organi arsimor turk i dorëzoi dy shkolla të lidhura me Organizatën Terroriste Fetullah (FETO), grupi terrorist që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi.
Distanca gjeografike midis Turqisë dhe Venezuelës nuk duhet parë si “pengesë”
Më herët, presidenti Erdoğan dhe homologu i tij venezuelian, Maduro, morën pjesë në biznes forumin Turqi-Venezuelë të organizuar në Caracas. Erdoğan deklaroi se kryeqytetet Ankara dhe Caracas bëjnë përpjekje për të përforcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.
“Ekzistojnë lidhje të ngushta në miqësi dhe solidaritet ndërmjet vendeve tona. Kemi potenciale të forta në marrëdhëniet tona ekonomike me Venezuelën. Ne po bëjmë përpjekje, përmes të të kuptuarit të favorshëm, për të diversifikuar dhe për të thelluar bashkëpunimin me Venezuelën në çdo fushë”, deklaroi Erdoğan në biznes forumin Turqi-Venezuelë.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Erdoğan tha se distanca gjeografike midis Turqisë dhe Venezuelës nuk duhet parë si “pengesë” për të forcuar lidhjet dypalëshe dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. Ai theksoi se vëllimi tregtar midis dy vendeve ka tejkaluar 1 miliardë dollarë në nëntë muajt e parë të vitit 2018.
“Ne duhet të rrisim eksportet e Turqisë në Venezuelë dhe ne duhet ta bëjmë tregtinë tonë më të qëndrueshme”, u shpreh ai, duke u bërë thirrje biznesmenëve të fillonin projekte dhe të bashkëpunonin për të zhvilluar marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.
Presidenti turk tha se Turqia e sheh Venezuelën si një partner në Amerikën Latine dhe Karaibe, si dhe shtoi se i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit dhe miqësisë me këtë vend.
Ndërkaq, presidenti Maduro, nga ana e tij, u bëri thirrje të dy vendeve për të forcuar ekonominë, për të krijuar bollëk dhe për të investuar brenda kuadrit të vizitës së presidentit Erdoğan.
“Turqia me historinë e saj të jashtëzakonshme dhe me padurimin për të punuar është një vend që kontribuon në historinë e njerëzimit”, deklaroi Maduro.
Ai po ashtu ftoi biznesmenët turq për të investuar në Venezuelë.
Presidenti turk dhe venezuelian, Erdoğan dhe Maduro, pas pjesëmarrjes në biznes forum zhvilluan takime bilaterale dhe nënshkruan disa marrëveshje në fusha të ndryshme, pas së cilës u adresuan në konferencën e përbashkët për media.