Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot u kërkoi të gjitha partive politike të marrin pjesë në hartimin e Kushtetutës së re, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne duam që të gjitha partitë politike të marrin pjesë në këtë proces. Do të bëjmë përpjekje të sinqertë për këtë qëllim”, i tha Erdoğan grupit parlamentar të partisë së tij.
“Turqia duhet të hartojë një Kushtetutë që do të plotësojë nevojat e shekullit të ardhshëm”, tha Erdoğan.
“Le të përgatisim propozimet tona mbi Kushtetutën e re këtë vit dhe të fillojmë diskutimet. Le t’i ndajmë këto me kombin tonë me një perspektivë vizionare, vullnet të mirë dhe qasje konstruktive, pa lënë askënd dhe asnjë segment jashtë”, tha ai.
Presidenti turk tha se ka konsensus mbi aspektet e përbashkëta të Kushtetutës së re. “Le të flasim dhe diskutojmë mbi dallimet e mendimeve pa pushim”, tha ai.
“Le të hyjmë në 100-vjetorin e republikës sonë jo me Kushtetutën e grushtit të shtetit, por me një Kushtetutë të re civile që i përshtatet këtij vendi dhe kombit tonë”, shtoi ai.
Erdoğan tha se Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), aleati i tij në Aleancën Popullore, do të mbështesë përpjekjet për Kushtetutën e re.
“Si Aleancë e Popullit, jemi të vendosur të japim kontributin më konstruktiv në Kushtetutën e re”, tha ai.
“Vendimi përfundimtar natyrisht do të jepet nga kombi ynë”, shtoi Erdoğan.
Kreu i MHP-së, Devlet Bahçeli ka shprehur marrëveshje mbi hartimin e Kushtetutës së re.