Erdoğan: Suedia të dorëzojë terroristët nëse dëshiron të anëtarësohet në NATO

Presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi Suedinë dhe vendet e tjera evropiane për tolerimin e pranisë së vazhdueshme të terroristëve dhe shtoi se ekstradimi i terroristëve të kërkuar është kusht i domosdoshëm që vendi nordik të fitojë të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne u thamë atyre, shikoni, nëse nuk i ekstradoni terroristët, atëherë ne nuk mund ta ratifikojmë anëtarësimin në NATO në parlamentin tonë”, tha Erdoğan në një takim me të rinjtë, duke komentuar premtimet e Suedisë dhe Finlandës se do të marrin qëndrim të fuqishëm kundër terroristëve për të fituar anëtarësimin në NATO.

“Së pari duhet të ekstradojnë rreth 130 terroristë që kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO të kalojnë në parlamentin tonë, por fatkeqësisht ende nuk e kanë bërë këtë”, shtoi ai.

Duke thënë se demonstratat e organizatës terroriste PKK shihen shpesh në rrugët e kryeqytetit Stockholm, Erdoğan theksoi se Türkiye e ka paralajmëruar vazhdimisht Suedinë për këtë, por Suedia nuk ka bërë asgjë për të ndaluar demonstratat e PKK/PYD-së.

“Nëse nuk mbajnë qëndrim kundër kësaj situate në Suedi, kjo mund të rrisë edhe më shumë tensionet në lidhjet tona me Suedinë”, shtoi Erdoğan.

Duke theksuar se grupet terroriste nuk janë të pranishme vetëm në Suedi dhe Finlandë, Erdoğan tha se ato shihen edhe në vende si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, megjithëse PKK është në listën zyrtare të grupeve terroriste të Bashkimit Evropian.

“Prandaj Türkiye do të përcaktojë qëndrimin tonë ndaj tyre”, theksoi Erdoğan.

Erdoğan gjithashtu komentoi marrëveshjen e arritur midis Türkiye-s, Kombeve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës në mesin e vitit të kaluar për vazhdimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi.

Duke theksuar rolin kyç të Türkiye-s në marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, Presidenti turk, Erdoğan, tha se qëllimi është prodhimi i miellit nga drithërat ruse dhe dërgimi i tij në vendet afrikane në nevojë.

“Në Evropë ka shkuar 44 për qind dhe 14 për qind në Afrikë. Tani do ta korrigjojmë këtë dhe do ta dërgojmë në Afrikë”, tha Erdoğan.