Shqipëria dhe Turqia kanë konfirmuar nisjen e një etape të re bashkëpunimi strategjik. Turqia shpall planin për të çuar në 2 miliardë dollarë volumin tregtar mes dy vendeve. Kjo u bë e ditur në konferencën e përbashkët për shtyp nga presidenti I Turqisë, Recep Taip Erdogan. Aktualisht volumi tregtar mes dy vendeve ka arritur në 1 miliard dollarë, çka do të thotë se projekti është për dyfishimin e tyre.
“ Me përpjekjet e sektorit tonë privat, do ta arrijmë këtë shifër shumë shpejt. Turqia është një prej 5 investitorëve të huaj më të mëdhenj në Shqipëri, me 3.5 miliardë dollarë. Do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke për të rritur investimet” deklaroi Erdogan.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka kujtuar ndihmën që Turqia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, duke u ndalur sidomos në rastet e emergjencës së tërmetit dhe më pas të pandemisë ku Turqia ishte e para që u angazhua që të ndihmojë Shqipërinë. Kryeministri shqiptar vlerësoi ecurinë pozitive të deritanishme të investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, duke evidentuar se ka potencial edhe për më shumë.
“Jam shumë i kënaqur që vitin e shkuar përveçse Shqipëria arriti një numër rekord mbi 10 milionë turistë, numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30 përqind. Shohim një potencial të madh edhe në këtë aspekt. Jam i sigurtë që ministri juaj i turizmit do të nxisë investimet në fushën e turizmit sepse Turqia ka krijuar një model ekselence dhe investimet turke janë të mirëpritura. Kemi arritur në 3.7 miliardë euro por siç e nënvizuat dhe ju potenciali është shumë më tepër. Për të mos folur për volumin tregtar që me çdo kusht duhet ta ngremë të paktën mbi 1 miliardë euro. Faleminderit shumë për lejet e drejtimit që i miratuat dhe shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre me lejet e drejtimit” deklaroi Rama.