Erdoğan: Samiti në Egjipt tregoi “mungesën e sinqeritetit” të BE-së

"Si mund të flisni për demokracinë në vendet anëtare të BE-së pasi pranuat ftesën e al-Sisit, i cili javën e kaluar ekzekutoi nëntë të rinj", tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se liderët evropianë që ndoqën samitin arabo-evropian në Egjipt, menjëherë pas ekzekutimit masiv të të rinjve nga autoritetet egjiptiane, tregojnë “mungesë sinqeriteti”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si mund të flisni për demokracinë në vendet anëtare të BE-së pasi pranuat ftesën e el-Sisit, i cili javën e kaluar ekzekutoi 9 të rinj”, tha presidenti Erdoğan, gjatë një tubimi në kuadër të fushatës në provincën Giresun të Detit të Zi.

Presidenti turk tha se BE-ja kundërshton dhe ndalon dënimin me vdekje në vendet e bllokut, por pranoi ftesën e presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi edhe pse që nga koha kur erdhi në pushtet ai ka ekzekutuar 42 persona.

“Ne nuk është e sinqertë”, u shpreh Erdoğan, duke shtuar se kjo e vërtetë tregohet në marrëdhëniet e saj me Turqinë dhe po ashtu me pjesëmarrjen e saj në samitin në Egjipt.

“Çfarëdo që bëjnë, ata do të kujtohen në histori për veprat e tyre”, theksoi presidenti Erdoğan.

Samiti dy-ditor midis BE-së dhe Ligës Arabe, që u mbajt dy ditët e kaluara në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh, u ndoq nga zyrtarë të shumtë evropianë, pavarësisht ekzekutimit të 9 të rinjve nga autoritetet egjiptiane nën dyshimin për vrasjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Egjiptit, Hisham Barakat.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Amnesty International” tha se 9 të rinjtë u dënuan për akuza terrorizmi pas “gjykimit jashtëzakonisht të padrejtë” të shkaktuar nga tortura të pretenduara.

Dënimet u zbatuan përkundër thirrjeve nga grupe të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për pezullimin e ekzekutimeve.

Më herët këtë muaj, autoritetet egjiptiane po ashtu ekzekutuan 6 të tjerë në dy raste të ndara për vrasjen e djalit të një gjyqtari dhe oficeri të lartë të policisë.

Egjipti ka mbetur i rrethuar nga dhuna dhe trazirat pasi në një grusht shteti në vitin 2013 ushtria rrëzoi nga pushteti Mohamed Morsin, presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë të lirë në vend.