Erdoğan: Ndoshta është koha për të diskutuar kushtetutën e re

Erdoğan theksoi se nëse partia qeverisëse turke, ajo për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), arrin konsensus me partnerin e saj në Aleancën Popullore, atëherë "në periudhën e ardhshme një veprim për hartimin e një kushtetute të re" është i mundshëm

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se “ndoshta është koha që Turqia përsëri të diskutojë një kushtetutë të re”, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi të kabinetit në kompleksin presidencial, presidenti Erdoğan theksoi se nëse partia qeverisëse turke, ajo për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), arrin konsensus me partnerin e saj në Aleancën e Popullit, atëherë është i mundshëm “një veprim për hartimin e një kushtetute të re në periudhën e ardhshme”.

Duke theksuar se punët kushtetuese duhet të bëhen në një mënyrë transparente, Erdoğan tha se teksti përfundimtar duhet t’i paraqitet diskrecionit të kombit.

Në votimet dhe zgjedhjet parlamentare, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) bashkëpunon me AK Partinë në pushtet nën Aleancën e Popullit, të formuar para zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të vitit 2018.

Referendumi kushtetues i vitit 2017, midis ndryshimeve të tjera, kërkoi nga votuesit të vendosin edhe mbi projekt-ligjin prej 18 neneve për të kaluar nga sistemi parlamentar në atë presidencial. Ndryshimet në kushtetutë u sollën bashkërisht nga AK Partia dhe MHP-ja.

Duke komentuar situatën ekonomike të Turqisë mes pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke cituar analiza ndërkombëtare presidenti turk tha se midis vendeve të grupit G20 Turqia dhe Kina mund të regjistrojnë rritje pozitive në vitin 2020.

Erdoğan tha se inflacioni i ushqimit është “kërcënimi më i madh” për prodhuesit dhe konsumatorët, duke theksuar se, “Ne besojmë se paqëndrueshmëria në çmimet e ushqimit do të ulet në gjysmën e dytë të vitit me zhvillimet në botë dhe masat që marrim në vendin tonë”.

Ai po ashtu komentoi zhvillimet e vendit mbi teknologjitë hapësinore dhe satelitore.

“Turqia filloi të punojë në krijimin e një objekti lëshimi mikro-satelitor dhe së shpejti do të dërgojë satelitët e saj dhe të vendeve miqësore në hapësirë. Ne jemi të vendosur ta bëjmë vendin tonë brend në teknologjinë hapësinore dhe satelitore që kanë një gamë të gjerë përdorimesh nga komunikimi deri te energjia, nga mbrojtja e mjedisit deri te industria e mbrojtjes”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Me tej, presidenti njoftoi planin për të filluar “relaksimin gradual të kufizimeve nga COVID-19”, me numrin e infeksioneve në rënie.

Në këtë aspekt, shkollat e Turqisë në fshatra do të fillojnë arsimin ballë për ballë që nga 15 shkurti përderisa do të nisin edhe përgatitjet për të vazhduar arsimin në klasa më 1 mars për nxënësit e arsimit të mesëm dhe të lartë.

Më 14 janar, Turqia nisi një fushatë masive të vaksinimit kundër pandemisë, duke filluar me punonjësit shëndetësor së bashku me zyrtarë të lartë për të inkurajuar besimin e publikut tek vaksinat.

Që nga muaji i kaluar, Turqia ka vendosur një shtetrrethim gjatë natës brenda javës, si dhe një bllokim të plotë gjatë fundjavave, me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit.