Erdogan kundërshton deklaratat e Macronit: Kontrolloje vdekjen e trurit tënd

Presidenti turk, Erdoğan kritikon presidentin francez Macron i cili tha se Turqia nuk duhet të presë mbështetjen e NATO-s për operacionin e saj antiterrorist në veri të Sirisë

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke kundërshtuar presidentin francez Emmanuel Macron, ka thënë se ai duhet të kontrollojë kokën e tij para se ta përshkruajë “trurin e vdekur” të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

“Presidenti francez z. Macron, po ta them në Turqi dhe do ta them në NATO, fillimisht kontrolloje vdekjen e trurit tënd”, tha presidenti Erdoğan, duke kritikuar Macron-in për fjalët e tij se Turqia nuk duhet të presë mbështetjen e NATO-s për operacionin e saj antiterrorist në veri të Sirisë.

Duke folur në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të kompleksit të Universitetit Marmara në Stamboll, Erdoğan tha se Franca nuk ka të drejtë dhe autoritet që të jetë në Siri.

“Regjimi (sirian) gjithashtu nuk u ka ftuar juve atje”, tha presidenti Erdoğan, duke iu adresuar presidentit francez.

“Për të larguar apo jo Turqinë nga NATO. A e keni ju autoritetin për të marrë një vendim të këtillë?”, shtoi Erdoğan.

Presidenti i Turqisë shtoi se Turqia “nuk do të hezitojë” për të vazhduar me operacionin ‘Burimi i Paqes’ nëse kërcënimet ndaj Turqisë nga zona e sigurt dhe përtej saj nuk mund të eliminohen brenda një kohe të arsyeshme”.

Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Sipas dy marrëveshjeve të ndara me SHBA-të dhe Rusinë, Turqia pauzoi operacionin për të lejuar tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar në veri të Sirisë.

Megjithatë, terroristët nuk janë tërhequr nga disa zona dhe vazhdojnë të sulmojnë ushtarët dhe civilët.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.