Erdoğan: Kufizimet e aleatëve ndaj industrisë së mbrojtjes së Turqisë duhet të hiqen

Heqja e kufizimeve që disa nga “aleatët” e Turqisë kanë vendosur ndaj industrisë e saj të mbrojtjes është në “interesin tonë të përbashkët”, tha presidenti i vendit pas samitit të liderëve të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA). Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel pas samitit të jashtëzakonshëm, Recep Tayyip Erdoğan tha se “embargo…

erdogan

Heqja e kufizimeve që disa nga “aleatët” e Turqisë kanë vendosur ndaj industrisë e saj të mbrojtjes është në “interesin tonë të përbashkët”, tha presidenti i vendit pas samitit të liderëve të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel pas samitit të jashtëzakonshëm, Recep Tayyip Erdoğan tha se “embargo të fshehta dhe të hapura midis aleatëve” nuk duhet as të ngrihen për diskutim, e aq më pak të zbatohen.

Duke vënë në dukje se ai i ka përcjellë pritshmëritë e Turqisë për këtë çështje me krerët aleatë që morën pjesë në samit, Erdoğan tha se Ankaraja do të vazhdojë të kontribuojë në parandalimin dhe masat mbrojtëse të NATO-s, por pret të njëjtin solidaritet në këmbim.

Për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, Erdoğan tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron që Turqia të ndërmjetësojë në bisedimet me Moskën.

Ai shtoi se Rusia gjithashtu e sheh ndërmjetësimin turk në një këndvështrim pozitiv, duke theksuar se Ankaraja vazhdon të jetë në “kontakte intensive” me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Nëse ka një kërkesë për rolin ndërmjetësues të Turqisë, ne jemi gati për të”, tha ai.

Duke nënvizuar se pavarësia e Ukrainës duhet të jetë “përparësia kryesore”, Erdoğan tha se Turqia po përdor fuqitë e saj sipas Konventës së Montrosë të vitit 1936 për të ulur tensionet midis dy palëve.

Duke shtuar se qëllimi kryesor i vendit të tij është të pajtojë palët, Erdoğan tha se “çdo metodë e qasjes ndaj krizës Rusi-Ukrainë që nuk i jep përparësi paqes do të rezultojë në katastrofë”.

Zgjidhja e luftës duhet të bazohet në një “formulë të besueshme” që do të ishte e pranueshme për Rusinë, Ukrainën dhe komunitetin ndërkombëtar, tha ai.

Erdoğan tha gjithashtu se NATO duhet të veprojë në mënyrë realiste dhe strategjike duke ruajtur mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën në mjedisin aktual të luftës.

Duke përsëritur thirrjen e tij prej një kohe të gjatë për reforma në arkitekturën globale të sigurisë, presidenti turk tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së në veçanti “duhet t’i nënshtrohet në mënyrë të pashmangshme një reforme serioze”.

Në lidhje me krizën e vazhdueshme të refugjatëve, Erdoğan tha se të gjithë, “veçanërisht vendet evropiane”, duhet të mbështesin dhe të ndihmojnë në zbutjen e problemeve të refugjatëve që vijnë në derën e tyre.