Erdoğan: Krijimi i shtetit palestinez një nevojë që nuk mund të shtyhet më

Krijimi i shtetit të pavarur të Palestinës, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me integritet gjeografik dhe me Kudsin (lindor) si kryeqytet është nevojë e cila tashmë nuk mund të shtyhet (vonohet) më, tha Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan lidhur me problemin Palestinë-Izrael në ceremoninë e hapjes së Kishës Ortodokse Asiriane ‘Mor Ephrem’ në rajonin Yeşilköy në Istanbul.

Erdoğan tërhoqi vëmendjen se çdo ditë e më shumë është rritur numri i provokimeve kundër Haram Al-Sharif (Xhamisë Al-Aksa) për të ndarë Kudsin në kohë dhe në hapësirë (si vend).

“Si Türkiye për këtë çështje ne kemi bërë reagimin dhe kundërshtimin tonë në çdo mundësi. Në periudha kur e gjithë bota ka heshtur ne nuk jemi tërhequr asnjëherë nga shprehja e të drejtës, të vërtetës edhe pse është e hidhur. Teksa jemi gjithmonë në solidaritet me vëllezërit tanë palestinezë, ne theksojmë se duhet të shmanget çdo hap që do të përshkallëzojë tensionet, që do të çojë në më shumë gjakderdhje dhe që do të thellojë problemet. Përmes institucioneve tona përkatëse ne kemi treguar çdo përpjekje edhe për lehtësimin e problemeve që populli i Gazës ka vuajtur për shkak të bllokadës. Edhe sot ne veprojmë me rregullin se askush nuk është humbës i një paqeje të drejtë”, tha Erdoğan.

Türkiye e gatshme të kontribuojë për vendosjen e paqes

Presidenti Erdoğan vuri në dukje se çështja në të cilën fokusohen më shumë gjatë takimeve me bashkëbiseduesit e tyre është arritja e qetësisë, paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në rajon duke zgjidhur çështjen e Palestinës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Por, fatkeqësisht fatura për vonesën në ndërtimin e drejtësisë shkakton që ajo të paguhet nga i gjithë rajoni, përfshirë palestinezët dhe izraelitët”, potencoi Erdoğan duke vazhduar më tej se:

“Na plagos zemrën e të gjithëve kur kryesisht fëmijët e pafajshëm, foshnjet në djep humbin jetën dhe vuajnë. Fryrja ndaj këtij zjarri nuk është në dobi të askujt, veçanërisht për civilët nga të dyja palët. Türkiye është e gatshme të bëjë atë që mundet për ndalimin sa më parë të konflikteve dhe për uljen e tensioneve të cilat janë përshkallëzuar me ngjarjet e fundit. Jemi të vendosur të vazhdojmë duke intensifikuar përpjekjet diplomatike që kemi filluar për ndërtimin sërish të qetësisë. Ftojmë të gjithë aktorët dominues në rajon të kontribuojnë sinqerisht për paqen”.

Në fund të fjalës, Erdoğan falënderoi ata që kanë kontribuar në ndërtimin e kishës dhe më pas preu shiritin e hapjes.