Erdoğan: Komuniteti ndërkombëtar nuk përmbushi përgjegjësitë për refugjatët

"Përkundër faktit që ne vazhduam të përballemi me një problem kaq të madh vetëm, ne vazhduam t'u dalim zot të shtypurve sirianë që ikën nga terrori dhe sulmet e regjimit", tha Erdoğan

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se komuniteti ndërkombëtar nuk i ka përmbushur përgjegjësitë për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Budapest, në Forumin e Biznesit Hungari-Turqi, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se, “Në vitin 2016, neve do të na jepeshin tre plus tre miliardë euro, jo për buxhetin tonë, por miliardë euro për organizatat ndërkombëtare. Ajo që është dhënë është vetëm 1,7 miliardë euro. Pavarësisht kësaj, ne jemi duke i vazhduar shërbimet atje”.

“Përkundër faktit që ne vazhduam të përballemi me një problem kaq të madh vetëm, ne vazhduam t’u dalim zot të shtypurve sirianë që ikën nga terrori dhe sulmet e regjimit. Thënë me pikëllim, komuniteti ndërkombëtar nuk i përmbushi përgjegjësit për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve”, shtoi presidenti turk.

Duke folur për marrëdhëniet tregtare mes vendit të tij dhe Hungarisë, Erdoğan tha se vëllimi i tregtisë mes dy vendeve, që ishte 1,5 miliardë dollarë në vitin 2009, ka arritur në 2,6 miliardë dollarë në vitin 2017 dhe në 1,8 miliardë dollarë vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2018.

“Synimi tani është të arrihet vlera prej pesë miliardë dollarëve”, theksoi Erdoğan.

Në lidhje me sulmet spekulative ndaj ekonomisë truke, presidenti i Turqisë i cilësoi ato si përpjekje për ta detyruar Turqinë të pranojë vendime të cilat janë në kundërshtim me interesat kombëtare të Turqisë, siç është lufta kundër terrorizmit.

“Themelet e ekonomisë turke janë solide. Askush nuk mund ta rrënojë ekonominë e Turqisë dhe sistemin bankar të saj, sepse ato janë rezistente ndaj goditjeve”, tha Erdoğan, duke theksuar se masat e marra kanë dhënë sinjale drejt balancimit të ekonomisë turke.