Erdogan: Kodra e dëshmorëve nuk do të jetë bosh, shprehje nga gjiri i shoqërisë

Erdoğan: Kushdo qoftë që përpiqet të njollosë me shpifje këtë luftë historike të Turqisë, është i pandershëm, i ulët, tradhtar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është shprehur se me operacionet e fundit Turqia ka dëshmuar edhe një herë se është vend që nuk dëshiron të luftojë, e jo një vend që nuk di të luftojë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në takimin e grupit parlamentar të partisë së tij (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim – AK) në Ankara, Erdoğan tha se “Përkujtoj dhe uroj që të jenë të mëshiruar të gjithë dëshmorët tanë të cilët prej një mijë vitesh kanë vaditur me gjakun e tyre atdheun tonë duke sakrifikuar jetët e tyre në mënyrë që ne të mund jetojmë në këto territore të lirë, që të valëvitim flamurin tonë dhe që ezanet të bëjnë jehonë në qiejt tanë. Përkrah mijëra dëshmorëve që kemi dhënë për rreth 40 vite në luftën kundër terrorizmit, i janë shtuar edhe dëshmorë të rinj në Siri, ku së fundmi kemi dhënë edhe 36 dëshmorë që humbën jetën në sulmin e regjimit në Idlib. Uroj që dëshmorët tanë të jenë në pozitën e lartësuar dhe martirizimi i tyre të jetë i pranuar”.

Që prej një mijë vitesh edhe sot asnjë pikë e gjakut të dëshmorëve nuk ka shkuar kot, tha Erdoğan, duke shtuar se “Kur kjo luftë të përfundojë me sukses ashtu sikurse e synojmë, me lejen e Allahut do kemi hedhur hapat historikë në ndërtimin e Turqisë së madhe dhe të fuqishme”.

Për të perceptuar kuptimin e kësaj tabloje, Erdoğan tha se fillimisht është e nevojshme njohja e përgjigjeve të tilla si “Kush është atdheu, populli, veterani, martirizimi dhe kush është dëshmor” dhe rruga për të mësuar përgjigjet e këtyre nuk kalon nga një arsim apo një karrierë e zakonshme. Erdoğan shtoi se përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të arrihen vetëm nëse ndihet në çdo pjesë të trupit, nëse në zemër ka dashuri për vendin dhe popullin, nëse zemra digjet me dëshirën për martirizim dhe nëse mendja është e pastër dhe e qartë.

Duke bërë të ditur se për të kuptuar shprehjen (Kodra e dëshmorëve nuk do të jetë bosh) krahas besimit duhet të dihet edhe kultura e shoqërisë nga gjiri i të cilës ka ardhur, Erdoğan theksoi që “Kushdo qoftë që përpiqet të njollosë me shpifje këtë luftë historike të Turqisë, është i pandershëm, i ulët, tradhtar”.

Erdoğan deklaroi se “Me operacionet tona të fundit ne kemi dëshmuar edhe një herë se jemi vend që nuk dëshiron të luftojë, e jo një vend që nuk di të luftojë”.

“Në mëshirën e organizatave terroriste, të regjimit me duar të përgjakura dhe mbështetësve të tyre, nuk do të lëmë të vetëm as popullin e pafajshëm të Sirisë dhe as vendin tonë”, shtoi Erdoğan.

Ndërsa lidhur me emigrantët në kufirin me Greqinë që duan të shkojnë në Evropë, Erdoğan theksoi se “Ftoj vendet e BE-së, kryesisht Greqinë që të respektojnë refugjatët që mbërrijnë në vendet e tyre në përputhje me deklaratën universale për të drejtat e njeriut”.

Duke iu referuar një fotografie të shfaqur ku tregohet ndihma e kryer ndaj grekëve të strehuar në Siri pas largimit nga sulmet naziste në të shkuarën, Erdoğan u shpreh se “Njëri nga këta djem ose vajzat greke në fotografi ndaj të cilëve po shpërndahen ndihma me ushqim dhe veshje, ndoshta mund të jenë gjyshi ose gjyshja e Mitsotakis”.

“Grekët të cilët provojnë çdo rrugë nga mbytja në det dhe deri në vrasje për të mos futur në vendin e tyre refugjatët, nuk duhet të harrojnë një ditë mund të jenë ata që mund të kenë nevojë për mëshirë”, shtoi më tej në fjalën e tij presidenti Erdoğan.