Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në fjalimin e tij tradicional pas zgjedhor ka deklaruar se “fitues janë Türkiye dhe demokracia”, raporton Anadolu.
“Si çdo vullnet i popullit tonë, edhe ky rezultat zgjedhor është më se i mirëpritur për ne. Fitues nuk jemi vetëm ne. Fitues janë Türkiye dhe demokracia”, tha presidenti Erdoğan pas rizgjedhjes së tij president i Türkiye-s.
Siç tha Erdoğan, sot nuk ka humbur askush dhe të gjithë 85 milionë qytetarët kanë fituar.
“Tani është koha për t’u bashkuar dhe për t’u integruar rreth synimeve dhe ëndrrave tona kombëtare”, shtoi ai.
Më tej, presidenti turk tha se “në një ndër zgjedhjet më të rëndësishme të jetës tonë politike shumë-partiake”, kombi turk mori vendimin në favor të “Shekullit të Türkiye-s”.
“Tashmë me përfundimin e zgjedhjeve, të gjithë kohën dhe energjinë tonë do t’ia kushtojmë plotësisht punës, veprave dhe shërbimeve”, tha ai.
Siç theksoi presidenti turk pas fitorës së zgjedhjeve, “mediat perëndimore kanë humbur”, duke shtuar se ato botuan ballina për ta “shkatërruar” atë.
“Do të vazhdojmë rrugëtimin me siguri dhe stabilitet. Projektojmë një ekonomi prodhuese me një reputacion ndërkombëtar të fokusuar në menaxhim financiar, investime dhe punësim”, theksoi presidenti turk.
Lidhur me tërmetet që tronditën Türkiye-n juglindore në fillim të muajit shkurt, presidenti Erdoğan tha se “shërimi i plagëve të tërmeteve të 6 shkurtit dhe rimëkëmbja e qyteteve të shkatërruara do të vazhdojnë të jenë në krye të prioriteteve tona”.
Presidenti turk foli edhe për refugjatët sirianë që strehohen në Türkiye, duke njoftuar se deri më sot autoritetet turke kanë mundësuar kthimin vullnetar të afro 600 mijë sirianëve në zonat e sigurta në territorin e Sirisë.
“Me një projekt të ri akomodimi që po e realizojmë me Katarin, do të sigurojmë kthimin e 1 milion sirianëve të tjerë brenda pak vitesh”, tha ai.
Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura sot, Erdoğan është rizgjedhur president i Türkiye-s. Duke folur me gazetarët në kryeqytetin Ankara, kreu i YSK-së tha se Erdoğan në raundin e dytë fitoi presidencën e Türkiye-s kundrejt kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu.
Sipas rezultateve preliminare, tha Yener, presidenti aktual Erdoğan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind, ndërsa Kılıçdaroğlu grumbulloi 47,86 për qind të votave. Ai shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.