Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me ftesë të presidentit hungarez, Janos Ader, do të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Hungari më datat 8 dhe 9 tetor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur zyra për informim e presidentit turk, Erdoğan, gjatë qëndrimit në Hungari do të takohet me presidentin Ader, me kryeparlamentarin Laszlo Kover dhe me kryeministrin Viktor Orban.
Gjatë takimeve që do të ketë me krerët e shtetit hungarez, do të bisedohet për marrëdhëniet dypalëshe në planin politik, ushtarak, dhe të sigurisë, përfshirë edhe marrëdhëniet ekonomike, tregtare, kulturore dhe ato të mbrojtjes.
Një nga temat e takimeve do të jenë edhe marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian, migrantët, lufta kundër terrorizmit dhe tema të tjera që janë të rëndësishme nga aspekti rajonal dhe global.
Theksohet se vizita e presidentit turk në Hungari, paraqet treguesin më të mirë për angazhimin e përbashkët në nivel të lartë, dhe që synon të rrisë bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik mes të dyja vendeve.