Erdoğan diskuton marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale me Putin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës së Turqisë, gjatë telefonatës janë diskutuar marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe zhvillimet rajonale.

Duke shprehur kënaqësi për fillimin e fluturimeve nga Rusia në Turqi nga 22 qershori, presidenti Erdoğan ka thënë se do të diskutojnë hapat që do të ndërmerren për të arritur objektivin e vëllimit të tregtisë prej 100 miliardë dollarësh midis Turqisë dhe Rusisë në takimin e planifikuar të Komisionit të Përbashkët Ekonomik që do të mbahet në Moskë më 30 korrik.

Duke deklaruar se gjatë vizitës në Shusha, ai personalisht ishte dëshmitar i shkatërrimit të shkaktuar nga armenët në rajon, Erdoğan theksoi se Armenia tani duhet të përqendrohet në paqen dhe bashkëpunimin dhe të zbatojë plotësisht deklaratat trepalëshe.

Presidenti turk ka thënë se regjimi sirian ka shtuar shkeljet në terren dhe se organizata terroriste PKK-YPG ka intensifikuar sulmet terroriste, duke përmendur sulmin ndaj një spitali në Afrin. Erdoğan ka theksuar se prania terroriste në rajon përbën një kërcënim serioz për sigurinë.