Erdoğan diskutoi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale me homologun izraelit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog, ku theksoi përfitimet reciproke të bashkëpunimit energjetik midis Turqisë dhe Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA). Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, në takim gjithashtu u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. Presidenti Erdoğan tha se shpreson…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog, ku theksoi përfitimet reciproke të bashkëpunimit energjetik midis Turqisë dhe Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, në takim gjithashtu u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.

Presidenti Erdoğan tha se shpreson që do të ruhet momenti pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe me vizitën dy-ditore të presidentit izraelit muajin e kaluar në Turqi, duek theksuar përfitimet e bashkëpunimit energjetik.

Tërheqja e mbështetjes së SHBA-së për gazsjellësin “EastMed” këtë janar ka çuar në spekulime se Turqia dhe Izraeli mund të arrijnë një marrëveshje energjie. Turqia ka theksuar se asnjë tubacion energjetik që e anashkalon atë, nuk ka asnjë shans për sukses.

Erdoğan theksoi gjithashtu rëndësinë e qasjes në qytetin e shenjtë të Kudsit dhe lokacionet e tij islame, duke thënë se palestinezët duhet të lejohen të hyjnë në Xhaminë Al-Aksa të Kudsit dhe në vende të tjera në Izrael gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Erdoğan përsëriti se ai pret që autoritetet izraelite do ta mbajnë Xhaminë Al-Aksa të hapur për adhurim 24 orë në ditë gjatë 10 ditëve të fundit të Ramazanit dhe do ta mbyllin atë për vizitorët jomuslimanë.

Presidenti turk tha gjithashtu se ai shpreson që Herzog dhe të gjithë hebrenjtë të kenë një Pashkë paqësore, një festë hebreje që fillon në mes të prillit.

Herzog gjithashtu i shprehi presidentit Erdoğan urimet më të mira për Ramazanin.

Duke dënuar sulmet e tmerrshme terroriste që Izraeli ka parë ditët e fundit, Erdoğan shprehu ngushëllime për njerëzit që humbën jetën dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Të martën, pesë persona u vranë në një sulm me të shtëna në qytetin Bnei Brak, që ishte sulmi i tretë vdekjeprurës në javët e fundit. Katër izraelitë u vranë në një sulm me thikë në qytetin Beersheba më 22 mars dhe dy policë u vranë kur dy sulmues hapën zjarr në qytetin Hadera të dielën.