Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se brenda 17 viteve, sipërfaqen pyjore të vendit e kanë rritur në 22,6 milionë hektarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, këtë e njoftoi gjatë aktivitetit të mbjelljes së 11 milionë fidanëve në mbarë vendin me rastin e “Ditës Kombëtare të Pyllëzimit”.
“Brenda 17 viteve, duke mbjellë gjithsej 4,5 miliardë fidanë, sipërfaqen pyjore të vendit e kemi rritur në 22,6 milionë hektarë”, tha ai.
Ai kritikoi edhe ata që drejtonin kritika ndaj Turqisë nën pretekstin e ambientalizmit duke u thënë “Ku janë tani?”.
“Askush nuk mund ta matë dashurinë tonë ndaj së gjelbrës, ndjeshmërisë ndaj pemëve, ndaj mjedisit”, tha mes tjerash presidenti turk.
Turqia mbjell 11 milion fidanë për të ardhme të gjelbër
Mbi 11 milion fidanë janë mbjellë të hënën në 2.023 lokalitete të ndryshme në të gjithë Turqinë, si pjesë e fushatës “Frymë për të ardhmen”.
Fushata masive e pyllëzimit e Turqisë filloi me shpalljen e 11 nëntorit si Ditë Kombëtare e Pyjeve që do të shënohet çdo vit.
Vendi filloi festivalin e tij më të madh të mjedisit në orën 11:11 sipas kohës lokale, ashtu siç u njoftua më parë.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, Zonja e Parë Emine Erdoğan, si dhe shumë ministra turq morën pjesë në ngjarjen masive të mbjelljes së pemëve në kryeqytetin Ankara.
“Më 11 nëntor, e cila u shpall si Dita Kombëtare e Pyllëzimit, ne do të mbjellim 11 milion fidanë”, tha presidenti Erdoğan në një postim në Twitter të dielën.
Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë e Turqisë kishte filluar fushatën “Frymë për të ardhmen” në fund të tetorit.
Ministria mbjell fidanët në emër të qytetarëve që i adoptuan ato përmes internetit. Deri më tani janë adoptuar 13 milion pemë.
Përveç qeverisë, një numër i organizatave joqeveritare gjithashtu i janë bashkuar kësaj iniciative.